Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur sot(e enjte), ka miratuar certifikimin e grupit të dytë me nëntë subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Nga këto, katër janë iniciativa qytetare dhe pesë kandidatë të pavarur.
Në total, këto subjekte do të garojnë me 66 kandidatë, prej të cilëve 4 për kryetarë komunash dhe 62 për anëtarë të kuvendeve komunale.
Lista e subjekteve të certifikuara në këtë mbledhje (14 gusht 2025) përfshin: “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, “Epoka e Hyjneshës” në Prishtinë, “Unioni i Blakçorve”, “Zëri i Drejtësisë”, si dhe kandidatët e pavarur për kryetar komune: Avdi Aliu, Ilir Pallqa, Jeton Abazaj, Kadri Hasani dhe Nedzmidin Sejdilar.
Në mbledhjen e mëparshme (12 gusht 2025), KQZ kishte certifikuar grupin e parë prej 10 subjekteve politike, ku përfshiheshin 2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur, me gjithsej 64 kandidatë (5 për kryetarë komune dhe 59 për anëtarë kuvendesh komunale).
Me këtë vendim, numri i përgjithshëm i subjekteve të certifikuara deri më 14 gusht 2025 arrin në 19, përfshirë 6 iniciativa qytetare dhe 13 kandidatë të pavarur, me gjithsej 130 kandidatë — 9 për kryetarë komunash dhe 121 për anëtarë të kuvendeve komunale.