Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë me dije se më 13 gusht mbyllet afati për aplikim online për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.
Afati ka qenë i hapur që nga 26 qershori, dhe për ta lehtësuar procesin, KQZ ka vendosur platformën elektronike https://apliko.kqz-ks.org, ku subjektet politike mund të paraqesin aplikimin e tyre në mënyrë elektronike.
Në njoftim, KQZ sqaron hapat e aplikimit:
Përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik (ose i iniciativës qytetare dhe kandidatëve të pavarur) plotëson online të dhënat në platformën https://apliko.kqz-ks.org. Për partitë dhe koalicionet e regjistruara janë krijuar përdorues (user) që nuk kanë nevojë ta bëjnë këtë hap.
Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar do të shqyrtojë aplikimin dhe do të miratojë ose jo atë. Pas verifikimit, përfaqësuesi autorizuar do të marrë kredencialet me email për t’u futur në platformë dhe për të vazhduar me aplikimin.