Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se vendi shumë shpejt mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, pasi sipas tij, as kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe as ndonjë forcë tjetër politike nuk kanë shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë e re.
Në konferencë për media të mbajtur të mërkurën pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Krasniqi tha se “Kurti e ka pranuar mandatin nga presidentja, i ka edhe 11 ditë ta bëjë Qeverinë, unë jam i bindur që nuk i ka numrat”.
“Pastaj ezaurimi i radhës së parë sjell tentimin për provë të dytë, por nuk duket që kushdo tjetër ka shumicë. Afatet janë të tilla që mund të përfundojmë në zgjedhje në mes të 30 nëntorit dhe 14 dhjetorit, ndoshta më 7 dhjetor”, ka theksuar ai.
Krasniqi shtoi se edhe nëse Kurti arrin të krijojë shumicën, Qeveria do të jetë “jetëshkurtër”, dhe zgjedhjet e reja do të zhvillohen prillin e ardhshëm, kur përfundon mandati i presidentes Vjosa Osmani:
“Nëse na befason Kurti, që nuk kam ndonjë besim që mund ta bëjë një gjë të tillë, e bën Qeverinë për disa muaj dhe mbesim të shkojmë në zgjedhje në prill,” tha Krasniqi.
Krasniqi: Na la shije të hidhur humbja në Drenas, por fokusi ynë tani është te balotazhi