Sot shënohen 15 vjet nga shpallja e Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar rëndësinë historike dhe juridike të këtij vendimi, duke thënë se ai e ka vulosur ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare.
“Mendimi Këshilldhënës i GjND-së i dha dritë njohjes vendimtare të së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje e liri,” shkroi Kurti në një postim në Facebook.
Ai tha se ky mendim përbën një dëshmi të legjitimitetit ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës dhe një konfirmim të qasjes shoviniste dhe kolonizuese të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Mendimi Këshilldhënës është një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare, për shkak se i jep shpresë e vullnet popujve liridashës që drejtësia ndaj kauzës së tyre më në fund edhe mund të triumfojë. Vlera juridike e këtij Mendimi, nuk do mend, do t’i shërbejë gjeneratave të juristëve si një mësim për parimësinë dhe etikën në vendosjen e interpretimin e vlerave universale”, theksoi Kurti.
Ai gjithashtu tha se kjo ngjarje përbën një mësim për Serbinë, e cila kishte lobuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të pyetur Gjykatën mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
“Nxitimi i saj u kthye në një humbje të madhe të politikës serbomadhe, e po ashtu simbolikisht një kujtim për viktimat e kolonizimit, diskriminimit sistematik e gjenocidit të saj”, përfundoi Kurti.