Kurti- opozitës: S’kemi hequr dorë nga njohja në qendër, na presin takime të vështira

Kryeministri, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka hequr dorë nga njohja në qendër nga Serbia.

Ai ka thënë se e presin takime e diskutime të vështira në muajt në vijim.

Po ashtu, shtoi se është i hapur për çdo raportim në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk kemi hequr dorë nga asgjë dhe se do të vazhdojmë për qytetarët e Kosovës. Na presin takime e diskutime të vështira në muajt në vazhdim dhe se jam i hapur për çdo raportim në Kuvendin e Kosovës”.

Ai tha se nuk mund të paragjykojë rreth marrëveshjes përfundimtare, për shkak të vështirësive që mund të kenë në vazhdim.

Kështu i është përgjigjur kreu i ekzekutivit kritikave të opozitës.

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kritikuar pranimin e propozimit evropian nga kryeministri Albin Kurti.

Sipas këtyre dy partive, me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Aty [në propozimin evropian] nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE”, shkroi në Facebook, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Sipas tij, kryeministri Kurti me “veprime dhe politika të gabuara degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut”.

“Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, shkroi Krasniqi.

Edhe LDK-ja u shpreh kritike ndaj Kurtit, duke argumentuar se propozimi nuk përfshin njohjen, por parasheh zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.

Në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të mbajtur më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

“Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, u tha në reagimin e LDK-së.

Ndërkaq, mendim ndryshe shprehu kreu i subjektit të tretë më të madh opozitar, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ramush Haradinaj e cilësoi si “arritje të madhe” pranimin e propozimit evropian.

“Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”, shkroi ai në Facebook.

Kryeministri Kurti e cilësoi takimin në Bruksel si konstruktiv, duke pretenduar se ai ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje, por Serbia nuk shprehu gatishmëri.

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika