Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar Postën e Kosovës, nga ku ka bërë të ditur se kjo ndërmarrje publike po e mbyll vitin me rreth 1 milion euro fitim, një rritje krahasuar me vitin e kaluar kur fitimi ishte rreth 800 mijë euro.
Kurti theksoi se Posta e Kosovës operon aktualisht me 166 zyra postare, prej të cilave 16 ndodhen në veri të Kosovës.
“Është për tu përshëndetur fakti që po zgjerohet rrejti i zyrave dhe i shërbimeve postare. Gjithsej i kanë në Kosovë 166 zyra prej të cilave 16 janë në veri të Ibrit në Republikën e Kosovës. Janë ndërpre rrjedhjet financiare, janë shuar strukturat ilegale. Nuk operon në Kosovë as posta e Serbisë e as kursimorja postare e Serbisë dhe dinari më nuk është mjet pagese dhe nuk ka pasë vakum sepse Posta e Kosovës ishte aty të ofrojë të gjitha shërbimet të cilat dikush konsideronte se mund të mungojnë atëherë kur të ndërpritet ilegaliteti që kishim në të kaluarën”, ka thënë Kurti.