Në intervistë të drejtpërdrejtë nga brenda qelisë për emisionin “Prapa grilave” me Liridon Llozanin në RTV Dukagjini, një 30-vjeçar i dënuar me pesë vite burg për grabitje rrëfen me hollësi jetën e tij para dhe pas veprës penale që i kushtoi lirinë dhe ndryshoi rrjedhën e jetës.
Ai ndodhet aktualisht në një qendër korrektuese, duke shlyer dënimin për një grabitje të armatosur në vitin 2018.
I riu tregon se grabitja ishte kryer në bashkëpunim me dy persona të tjerë, me të cilët kishte pasur njohje të hershme. Ai pranon se nuk kishte ndonjë përvojë të mëparshme në krim të organizuar dhe se gjithçka kishte nisur si një ide spontane mes të njohurve.
“Gabim i madh,” e përshkruan ai, ndërsa kujton se plani ishte thjesht për të marrë para dhe cigare nga një pompë derivatesh, pa dëmtuar askënd fizikisht.
Grabitja u krye me armë zjarri, një kallashnikov dhe një pistoletë TT, por armët, sipas tij nuk u përdorën, veçse për të trembur punonjësit.
Të maskuar dhe të pajisur me armë, ata hynë në objekt natën vonë dhe qëndruan brenda për rreth 15 minuta, duke marrë mallra dhe një shumë të vogël parash. Dëmi total, sipas rrëfimit, nuk i kalonte 3 mijë euro. Për pjesëmarrjen e tij, ai thotë se mori vetëm 500 euro.
Pas grabitjes, ai u largua jashtë vendit dhe për një kohë të gjatë nuk u kap nga autoritetet. Ai tregon se nuk ishte arrestuar menjëherë për shkak se nuk ishte i njohur për autoritetet si person problematik. Megjithatë, pas një viti, gjatë një tentative për të shkuar në një vend të Bashkimit Evropian, u ndalua në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë. Aty u zbulua se ishte i kërkuar ndërkombëtarisht dhe pas një qëndrimi të përkohshëm në paraburgim, u transferua për të vuajtur dënimin.
Përvoja në paraburgim në Mal të Zi, sipas të riut ishte e vështirë për shkak të përkatësisë etnike.
Ai përmend tendenca për keqtrajtim nga të burgosurit e tjerë dhe mungesë të kushteve të dinjitetshme.
“Na shikonin si gangstera vetëm pse ishim shqiptarë”, rrëfen ai.
Pas transferimit në sistemin korrektues vendor, rrëfimi i tij përpara prokurorit ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë, e pranoi fajin pa kundërshtime, vetëm me dëshirën për të vuajtur dënimin dhe për të nisur një jetë të re.
Sipas tij, vetë pranimi i fajit ishte mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund një kapitulli të errët të jetës dhe për t’u përqendruar në pendesë dhe reflektim.
Për djaloshin që dikur kishte ëndërruar të bëhej futbollist, burgu është kthyer në vendin e vetëdijesimit të vonuar.
“Nëse njeriu nuk mbushet mend pasi hyn në burg, ai nuk është normal”, shprehet ai, duke nënvizuar rëndësinë e lirisë dhe pastërtisë para ligjit.
Për një dënim që nisi me 500 euro dhe një ide naive për përfitim të shpejtë, ai ka paguar me vite lirie, me përçarje familjare dhe me izolim personal.
“Zoti dhe familja janë të vetmit që më kanë mbetur”, thotë ai duke theksuar se gjatë tri viteve të fundit vetëm pak miq e kanë vizituar.
Kjo histori është një dëshmi e gjallë e asaj se si një vendim i vetëm, një gabim i pashqyrtuar, mund të ndryshojë një jetë të tërë.