Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër tre personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri L.B., në cilësinë e drejtorit të një poliklinike në Prizren dhe të autorizuar nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin e certifikatave mjekësore për kandidatët për patentë shofer, ka tejkaluar autorizimet e tij.
Ai lëshoi certifikata mjekësore për dy persona që ndodheshin jashtë Kosovës, pa i kontrolluar personalisht, duke mundësuar që ata të regjistroheshin dhe të kalonin provimin për patentë shofer në auto-shkollat “S.” në Prizren dhe “F.” në Malishevë.
“I pandehuri L.B., me datë 15.07.2023 në Prizren, në poliklinikën “G.”, në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i poliklinkës, i autorizuar dhe i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin e certifikatave mjekësore për kandidatët për patentë shofer, i tejkalon autorizimet e tij duke lëshuar certifikata mjekësore për kandidatë për patentë shofer, në këtë rast për B.V., dhe B.Th., pa i kontrolluar personalisht, duke vërtetuar në mënyrë të pavërtetë se ata kishin kryer kontrollin mjekësor, edhe pse ndodheshin jashtë Kosovës në atë kohë, me ç’rast i ka mundësuar të njëjtëve përfitim në formën e regjistrimit e provimit për patentë shofer përmes Auto shkollave “S.” në Prizren dhe “F.” në Malishevë, me ç’rast emri i të njëjtëve dërgohet në Departamentin e Patentë Shoferëve së bashku me listën e kandidatëve të tjerë që fillojnë ligjëratat për patentë shofer”, thuhet nga Prokuroria.
Ndërkohë, të pandehurit U.M. dhe I.G., përfaqësues të auto-shkollave të përmendura, kanë përgatitur dhe dorëzuar dokumente dhe kontrata të rreme, duke pretenduar se kandidatët kishin ndjekur ligjëratat teorike, edhe pse ata ndodheshin jashtë territorit të Kosovës.
Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.