“Lulegjelat” si armë politike

Në demokraci kritika ndaj pushtetit është jo vetëm e lejuar, por është një nga mekanizmat më të rëndësishëm për funksionimin e një shoqërie të lirë. Qeveritë, partitë politike dhe liderët duhet të jenë të gatshëm të përballen me pyetje të vështira, me kundërshtime dhe me pakënaqësi publike. Por, në një shoqëri demokratike nuk mund të tolerohet që debatit publik t’i zëvendësohet gjuha e urrejtjes, shpifja dhe sulmet e organizuara nga profile anonime apo të rreme në rrjetet sociale.

Vitet e fundit rrjetet sociale janë shndërruar në një arenë ku një pjesë e individëve, të fshehur pas emrave të rremë dhe fotografive të huaja, kanë krijuar një industri të sulmeve ndaj kujtdo që mendon ndryshe. Këto profile nuk merren me argumente, nuk përpiqen të bindin dhe nuk kontribuojnë në debat. Misioni i tyre është tjetër: frikësimi, njollosja e kundërshtarëve dhe krijimi i një atmosfere ku njerëzit të hezitojnë të flasin.

Në këtë kategori hyjnë edhe profile si ai i njohur me emrin “Lule Gjeli”, i cili është bërë simbol i një fenomeni shumë më të gjerë: përdorimit të anonimitetit në internet për të sulmuar gazetarë, analistë, politikanë dhe qytetarë të zakonshëm që shprehin mendime kritike ndaj pushtetit të Albin Kurtit. Çështja nuk është një person apo një profil i vetëm. Çështja është kultura që po krijohet rreth tyre dhe ideja e rrezikshme se, për sa kohë dikush fshihet pas një profili, mund të shpifë, të poshtërojë dhe të nxisë urrejtje pa mbajtur përgjegjësi. Nëse dikush shpif, fyen apo cenon dinjitetin e një personi në hapësirën online, ai përballet me pasoja ligjore. Interneti nuk është zonë pa ligj. Anonimiteti nuk mund të shërbejë si mburojë për abuzim.

Prandaj, në raste kur profile të tilla kalojnë kufirin e kritikës politike dhe hyjnë në shpifje, kërcënime apo nxitje të urrejtjes, institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë. Hetimi dhe ndjekja penale e personave që përdorin rrjetet sociale për të dëmtuar qëllimisht të tjerët nuk është cenim i lirisë së shprehjes, por mbrojtje e saj. Sepse liria e shprehjes nuk nënkupton të drejtën për të shkatërruar reputacionin e tjetrit nëpërmjet gënjeshtrave.

* * *

Një problem tjetër, po aq shqetësues, është përpjekja e disa individëve dhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për t’i relativizuar këto sjellje. Në vend që të distancohen nga gjuhë të tilla, disa prej tyre përpiqen t’i paraqesin ato si “humor”, “ironi” apo “satirë politike”. Ky arsyetim është i rrezikshëm, sepse humori dhe satira kanë një kufi të qartë: ato godasin pushtetin, idetë dhe fenomenet shoqërore, jo individët nëpërmjet shpifjeve, poshtërimit dhe përhapjes së urrejtjes.

Nuk mund të quhet humor një përmbajtje që shpërndan gënjeshtra për një person, që synon ta izolojë atë nga shoqëria apo që nxit ndjekësit të sulmojnë dikë vetëm pse ka një qëndrim politik ndryshe. Ironia nuk është justifikim për shpifjen. Kritika nuk është sinonim i linçimit.

Është veçanërisht shqetësuese kur një pjesë e mbështetësve të Vetëvendosjes përpiqen të mbrojnë çdo veprim të atyre që konsiderohen “në anën e tyre”. Demokracia nuk matet me mënyrën se si trajtohen kundërshtarët, por me mënyrën se si trajtohen edhe ata që kritikojnë grupin, të cilit i përket dikush. Një shoqëri e shëndoshë nuk mund të pranojë që sulmet të justifikohen vetëm pse viktima ka një bindje tjetër politike.

Historia tregon se gjuha e urrejtjes dhe fushatat e dezinformimit nuk mbeten vetëm në internet. Ato krijojnë ndarje reale në shoqëri. Fillimisht sulmohet një gazetar, pastaj një analist, pastaj një qytetar që shpreh një mendim ndryshe. Gradualisht krijohet një klimë ku njerëzit fillojnë të heshtin jo sepse janë bindur, por sepse kanë frikë nga sulmet.

Kjo është arsyeja pse fenomeni i profileve të rreme nuk duhet parë si një çështje periferike e rrjeteve sociale. Është një problem demokratik. Kur debatit politik i shtohen ushtri llogarish anonime që shpërndajnë urrejtje, atëherë dëmtohet vetë ideja e një shoqërie ku qytetarët mund të diskutojnë lirshëm.

Pushtetet ndryshojnë, partitë vijnë e shkojnë, por standardet demokratike duhet të mbeten. Sot mund të sulmohet një kundërshtar i një partie, nesër mund të jetë dikush tjetër. Heshtja ndaj këtij fenomeni vetëm pse sulmet u drejtohen kundërshtarëve politikë është një gabim i madh.

Mbrojtja e demokracisë kërkon që të dënohet çdo formë e shpifjes, linçimit dhe nxitjes së urrejtjes, pa marrë parasysh se nga cila anë politike vjen. Rrjetet sociale duhet të jenë hapësirë për debat, jo fabrikë për frikësim. Dhe askush, pavarësisht se kë mbështet politikisht, nuk duhet të ketë të drejtën ta përdorë anonimitetin si armë kundër të tjerëve

Të fundit nga rubrika