Zyra e Kryeministrit ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të fotografive ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shihet në një takim ku kishte marrë pjesë edhe Fehim Sali, i arrestuar së fundmi nën dyshimet për spiunazh.
Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka deklaruar se gjatë pesë vjetëve e gjysmë të qeverisjes, Kurti ka zhvilluar takime me dhjetëra organizata dhe delegacione të komuniteteve pakicë që janë të regjistruara dhe veprojnë në Kosovë.
“Dhjetëra organizata të pakicave me delegacione të tyre që janë të regjistruara dhe operojnë në Kosovë, Kryeministri Kurti i ka pritur në këto pesë vjet e gjysmë. Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s’japim amnesti për askënd”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
Ai ka shtuar se institucionet e sigurisë, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), janë duke zbuluar gjithnjë e më shumë raste të dyshuara të spiunazhit.
Reagimi vjen pasi në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi të Fehim Salit me Kurtin, si dhe fotografi të tjera të tij me personalitete politike e institucionale.
Sali, arsimtar nga Dragashi, është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprimtari spiunazhi në favor të autoriteteve serbe.
Fotografia me Kurtin lidhet me një takim të zhvilluar në tetor të vitit 2022. Sipas njoftimeve të publikuara në atë kohë nga Zyra e Kryeministrit, Kurti kishte pritur përfaqësues të komunitetit goran në Kosovë nga akademia, organizatat joqeveritare, mediat dhe institucionet e vendit.
Në mesin e pjesëmarrësve në këtë takim kishte qenë edhe Fehim Sali, i cili tashmë është arrestuar nën dyshimet për spiunazh.
I dyshuari për spiunazh i tregoi Prokurorisë në detaje veprimtarinë dhe kontaktin me BIA-n serbe