Një testim i marinës amerikane për dronët autonomë detarë, i zhvilluar muajin e kaluar pranë bregdetit të Kalifornisë, është shoqëruar me incidente serioze.
Sipas raportimit të Reuters, gjatë demonstrimit një nga mjetet u fik papritur për shkak të një defekti në softuer. Ndërkohë një tjetër dron, duke mos arritur të shmangte kontaktin, u përplas në anën e djathtë të mjetit të ndalur, kaloi mbi kuvertë dhe u rrëzua përsëri në ujë.
Pamjet e ngjarjes janë verifikuar nga dy burime të agjencisë Reuters.
Incidenti përfshiu dy mjete të prodhuara nga kompanitë rivale amerikane Saronic dhe BlackSea Technologies. Pak javë më herët, gjatë një testimi tjetër, një dron i kompanisë BlackSea që po tërhiqej nga një anije mbështetëse, papritur përshpejtoi dhe përmbysi anijen, duke hedhur në ujë kapitenin e saj, i cili fatmirësisht u shpëtua pa lëndime. Ky rast u raportua fillimisht nga Defense Scoop.
Burime të afërta me programin theksojnë se të dy incidentet lidhen me kombinim të gabimeve njerëzore dhe defekteve të softuerit, veçanërisht në komunikimin mes sistemeve të brendshme dhe programeve të jashtme autonome.
As Marina amerikane dhe as kompanitë Saronic e BlackSea nuk kanë komentuar për rastin.
ShBA-ja po synon të zhvillojë një flotë të avancuar dronësh detarë, të aftë të operojnë në mënyrë autonome dhe në formacione të mëdha, për t’i përdorur si mjet pengues kundër çdo përparimi të mundshëm kinez në ngushticën e Tajvanit. Ndërkohë, Tajvani ka nisur blerjen e dronëve të ngjashëm.
Ndryshe nga Ukraina, e cila përdor dronë detarë kryesisht të telekomanduar me kosto rreth 250 mijë dollarë për misione vetë-shkatërruese kundër flotës ruse në Detin e Zi, programi amerikan është shumë më ambicioz dhe i shtrenjtë – disa milionë dollarë për çdo mjet autonom.