Ajo çka secili ekonomist e konsideron infuzion ekonomik për Kosovën janë remitencat.
E kur kemi hyrë në gjysmën e dytë të vitit 2025, nëse kjo periudhë krahasohet me atë të vitit të kaluar, ato kanë shënuar rritje, sipas statistikave që i jep Banka Qendrore e Kosovës.
Remitancat – janë kategoria kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në prill 2025 shënoi 403.51 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 2.35% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare, remitancat për muajin maj 2025 janë rreth 126.58 milionë euro, duke arritur kështu vlerën totale prej 530.08 milionë euro (vlerësim preliminar). Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit maj kanë qenë përmes IFJB me 56.67%, përmes bankave komerciale me 13.91% dhe kanaleve të tjera me 29.42%. – BQK
Gjithë këto mjete financiare, ekonomistët e kanë drojën se nuk po drejtohen aty ku do të sillnin zhvillim ekonomik.
“Ato kryesisht janë të orientuara në konsumin e ekonomive familjare dhe pjesa tjetër në kapital fiks, apo sipas ASK-së, 87% e tyre shkojnë në blerjen e patundshmërive. Është mëse e nevojshme që të krijohen politika adekuate të cilat i stimulojnë aktivitetet përmes ardhjes së remitencave në aktivitete stimuluese, sidomos në përkrahje të bizneseve”, ka thënë Bashkim Mustafa, Ekonomist.
Mendim të njëjtë thuajse ka edhe Uran Radoniqi, që konsideron që parat po shpenzohen pa një kontroll të mirëfilltë.
“Ato nuk kanë një qëllim zhvillimor, është shumë e rëndësishme që diaspora jonë e madhe të shfrytëzohet përmes një strategjie nga qeveria që të vijnë me investime në Kosovë dhe jo vetëm me remitenca”, ka thënë Uran Radoniqi, Ekonomist.
Gjatë vitit 2024, dërgesat e huaja në Kosovë ishin rritur me 1.1%, duke arritur në gjithsej 1.35 miliardë euro.
530 milionë euro është vlera e remitencave për pjesën e parë të vitit, por ekonomistët vlerësojnë është që këto mjete janë pa një orientim të duhur, meqenëse shumica shkojnë në konsum.