Sot me fillim nga ora 09:00, në Dhomat e Specializuara në Hagë do të rinisë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë herë, është radha e palës mbrojtëse për të paraqitur dëshmitarët e saj në këtë proces.
Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, raportohet se sot do ta nisë dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Do të jem në Evropë sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi [ish-kryediplomates së ndjerë amerikane] Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte. Kjo nënkupton se do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, kështu ka konfirmuar Rubin për emisionin “Christiane Amanpour Presents: The Ex Files with James Rubin”.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se dëshmia e Rubin do të vërtetojë se UÇK-ja dhe ish-udhëheqësit e saj nuk kanë kryer krime lufte.
Rubin nuk është emri i vetëm i njohur që pritet të paraqitet si dëshmitar i mbrojtjes.
Në lista të mëhershme janë përmendur edhe ish-gjenerali Wesley Clark, ish-ambasadori William Walker, ish-shefi i UNMIK-ut Bernard Kouchner dhe figura të tjera ndërkombëtare.
Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar se do të thërrasë 11 dëshmitarë për të dëshmuar në seanca të hapura, ndërsa ekipi i Jakup Krasniqit ka njoftuar se katër dëshmitarë të tjerë do të japin dëshmi – dy në sallën e gjykatës dhe dy me shkrim.
Paneli gjykues i Speciales ka përcaktuar që deri më 14 nëntor, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit, të mbyllet faza e mbrojtjes për Thaçin dhe Krasniqin. Ndërkaq, shkresat përfundimtare të gjykimit pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.
Kjo fazë e re e gjykimit po zhvillohet një ditë pas protestës së madhe në Hagë, ku mijëra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, diaspora dhe rajoni kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Ata theksuan se akuzat ndaj tyre janë të padrejta dhe përbëjnë edhe një fyerje për NATO-n, aleatët e saj dhe luftën për liri në Kosovë.