Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në kuadër të vizitës zyrtare në nivel të shefave të mbrojtjes ka pritur në takim shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral Arben Kingjin me delegacionin e tij.
Mehaj ka njoftuar se në këtë takim i ka shprehur falënderimin për mbështetjen vëllazërore Gjeneral Kingjit si vend anëtar i NATO-s.
“Ndër të tjera, e ritheksova edhe rëndësinë shumë të madhe për ne që ka mbështetja e ministrisë dhe forcave të Republikës së Shqipërisë, duke pasur parasysh përvojën e madhe në procesin e integrimeve euroatlantike, si dhe në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi”, ka shkruar Ministri Mehaj.
Ministri i Mbrojtjes ka shtuar se Gjeneral Arben Kingji e ka falënderuar për pritjen vëllazërore dhe për emocionet e impresionet e veçanta të vizitës me këtë rast.
“Ai na përgëzoi për të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes, duke konfirmuar angazhimin nga autoriteti dhe ekipi i tij, në mbështetjen e mëtejme për ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së”, ka shtuar Mehaj.
Mehaj ka theksuar se me Gjeneral Arben Kingji kanë konfirmuar angazhimin dhe përkushtimin maksimal për të realizuar objektivat ndështetërore në planin ushtarak edhe në të ardhmen.