Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar pas reagimit të Ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu për pretendimet e autoriteteve serbe për dënimin e Popoviq.
Me anë të një postimi në Facebook, Miftaraj ka deklaruar se po të ishte bërë shkelje nga Gjykata, reagimet s’do kishin të ndalaur nga autoritetet mbikqyrëse.
“Rastin e Popoviqit e kanë monitoruar OSBE dhe Eulex. Këto dy institucione monitorojnë raste të tilla dhe kanë qasje të papenguar në çdo fazë të procedurës. Nëse Kosova do ndërmerrte veprime që shkelin të drejtat dhe liritë e të pandehurit në këtë rast te Popoviqit, Eulex dhe OSBE do reagonin.
Andaj, deklaratat e Popoviq dhe autoriteteve ne Serbi kinse për presion në arritjen e marreveshjes për pranimin e fajësisë nuk duhet të mirren seriozisht. Janë deklarata politike për konsum të brendshëm në Serbi.”, ka shkruar Miftaraj.
Mes të tjerash, ai ka lavdëruar me ironi Haxhiun e cila vjen nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje e cila vazhdimisht, ka sulmuar organet e drejtësisë.
“Sidoqoftë, lajm i mirë qëndrimi i deputetes Haxhiu se institucionet e drejtesisë në Kosove në këtë rast prokuroria dhe gjykata kanë zbatuar ligjin në mënyrë të drejtë, pavarur dhe të paanshme. Shumë bukur kur deputetët e LVV e lartësojne gjyqësorin e Kosovës dhe promovojnë punën e tyre. Respekte!”, ka shkruar Miftaraj.
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten zyrtarin serb, Igor Popoviq me gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3.000 eurosh.
Ndër të tjera, gjykata vendosi t’ia ndalojë Popoviqit hyrjen në Kosovë për një periudhë prej dy vjetësh, pasi ai pranoi fajësinë në marrëveshje me Prokurorinë, raportoi “Betimi për Drejtësi”.