Miftaraj: Kushtetuesja ka afat 60 ditësh për kërkesën e AAK-së, s’ka kushtetutë me zgjidhje për secilin interes partiak

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha se Gjykata Kushtetuese ka afat kushtetues prej 60 ditësh për të vendosur për kërkesën e AAK-së për çështjen e votimit të fshehtë në Kuvendin e Kosovës, që i bie se kjo gjykatë është brenda një afati të arsyeshëm.

Rikujtojmë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i paraqiti Gjykatës Kushtetuese çështjen e formimit të një komisioni për votim të fshehtë gjatë seancës konstituive të Kuvendit, më 12 maj.

Miftaraj në intervistë për Ekonomia Online, theksoi se më e rëndësishme është që vendimi të jetë i argumentuar dhe në përputhje me Kushtetutën, për të fituar besimin e publikut dhe partive politike.

“Përkundër faktit që është një afat kushtetues ligjor që Gjykata Kushtetuese të vendos brenda një afati 60 ditësh, me qëllim të analizimit të rastit në mënyrën më të mirë të mundshme, mund të themi se gjykata është ende brenda një afati të arsyeshëm kohor për të vendosur lidhur me kërkesën e AAK-së. Ajo çka është me rëndësi është fakti që gjykata me rastin e analizës së kësaj kërkese të sigurohet që ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme, të jetë në pajtim me praktikën e Kushtetutës, në mënyrë që pastaj edhe arsyetimi të jetë bindës dhe që publiku, partitë politike, deputetët të binden lidhur me këtë vendim”, tha Miftaraj.

Ai mendon se vonesat nuk janë problem thelbësor, pasi Kushtetuta nuk mund të zgjidhë të gjitha krizat politike që lindin në Kuvend.

“Sa për vonesa, ky nuk do të duhej të ishte problemi kryesor. Ajo çka ne kemi thënë si IKD dhe vazhdojmë ta mbështesim është fakti që Gjykata Kushtetuese nuk do të mund asnjëherë të zgjidh të gjitha problemet politike, të cilat shfaqen, qoftë në Kuvendin e Kosovës apo për formimin e institucioneve. Jo vetëm Kushtetuta e Kosovës, por asnjë kushtetutë e botës nuk mund të hartohet në mënyrë që t’i përshtatet secili interes të partive politike në Kuvend apo skenarëve, të cilat dalin pas zgjedhjeve”, shtoi ai.

Miftaraj vë në dukje se Gjykata Kushtetuese nuk është mekanizëm për zhbllokim politik dhe vendimmarrja për votim u mbetet deputetëve.

“Gjykata Kushtetuese nuk është dhe nuk mundet të jetë mekanizëm për zhbllokimin e situatave politike dhe interesave partiake në Kuvendin e Kosovës, me skenarin që Gjykata Kushtetuese që e pranon si të pranueshme kërkesën e AAK-së dhe me skenarin që Gjykata Kushtetuese e obligon Kuvendin që të vazhdojë me votim të fshehtë. Janë deputetët që do të vendosin, nëse duan të marrin pjesë në seancë, të votojnë për, kundër apo abstenojnë. Kjo nuk e zgjidh, përkundrazi, mendoj që i ka konvenuar partisë në pushtet kjo kërkesë e AAK-së për të fituar kohë dhe për t’u arsyetuar publikun që kinse po e presin vendimin e gjykatës”, tha Miftaraj.

Lidhur me rolin e presidentes, ai tha se ajo mund të bëjë vetëm thirrje publike për të shtyrë partitë drejt zgjidhjes, por nuk ka kompetenca ligjore për të detyruar deputetët të veprojnë.

“Shoqëria duhet të ketë një konsistencë, jo ta lidhim një proces me kërkesat që vijnë qoftë nga gjykata apo presidentja. Të gjithë kemi qenë të zëshëm, kur ishte president Thaçi apo presidentë të tjerë që duhet të sigurohen që të mos dalin jashtë kompetencave dhe përgjegjësive të tyre që i ofron Kushtetuta. Presidentja, krejt çka mund të bëjë, është presion dhe thirrje publike partive politike që të sigurohet të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre, të lënë inatet partiake, të gjejnë një zgjidhje për të arritur konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve. Në aspektin ligjor nuk është që presidentja ndonjë mekanizëm që t’i obligojë apo detyrojë deputetët për të ushtruar rolin e tyre kushtetues”, tha për EO, Miftaraj.

Shija e redaktorit

Komuna e Pejës nderon disa figura në ditën e çlirimit,...

Qyteti i Pejës të hënën e ka shënuar ditën e çlirimit ku Komuna është përkujdesur që qytetarëve t’iu ofrojë aktivitete të ndryshme. Dita nisi me...

Dita e dytë e Grupit “EEPG” në Pejë, flitet për...

Dita e dytë në hotelin “Dukagjini” në Pejë ku janë mbledhur botues dhe ekspertë të fushës së arsimit nga vende të ndryshme të Evropës,...

BOTUESIT EVROPIANË NË KOSOVË: “DUKAGJINI” DHE EEPG-JA ME DISKUTIM SHKENCOR...

Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim (EEPG), në bashkëpunim me shtëpinë botuese "Dukagjini", po organizon eventin: "TEACHING TOGETHER: EMPOWERING EDUCATORS AND ELEVATING PUBLISHER'S ROLE...

Të fundit nga rubrika