MINT gjobit KEDS-in me 40 mijë euro për njehsorët elektrikë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se KEDS është gjobitur me 40 mijë euro pas verifikimeve të realizuara ndaj njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa.

Lajmi u bë i ditur gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku u prezantua edhe Draft Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030.

Sipas komunikatës së MINT-it, vetëm gjatë dy ditëve të fundit në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë verifikuar 19 njehsorë elektrikë. Nga këta, shtatë kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi.

“MINTI trajton me prioritet të drejtat e konsumatorit, KEDS gjobitet me 40,000 euro për njehsorët

Është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku u prezantua edhe Draft Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030.

Përveç pikave të rendit të ditës, në këtë mbledhje, u prezantuan informata lidhur me aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të fokusuara në monitorimin e çmimeve të derivateve, njehsorëve elektrikë dhe produkteve të qumështit me bazë bimore në treg.

Vlen të theksohet se po vazhdon procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë verifikuar 19 njehsorë, prej të cilëve 7 kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi.

Raportet zyrtare të laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për ndërmarrjen e masave ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj KEDS-it, në vlerë prej 40,000 eurosh.

Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit gjithashtu ka diskutuar për adresimin sa më të shpejtë të rasteve dhe mënyrat e kompensimit të dëmit ndaj konsumatorëve.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit gjatë tre muajve të fundit ka ndërmarrë një sërë masash proaktive për trajtimin e ankesave të konsumatorëve.

Si tregues i rritjes së besimit institucional të qytetarëve konsiderohet edhe rritja prej 35% e numrit të ankesave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.

Të fundit nga rubrika