Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka marrë vendim për caktimin e masave mbrojtëse ndaj çmimeve të produkteve të naftës, me synim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun vendor.
Sipas këtij vendimi, i cili është rezultat i një mbikëqyrjeje të vazhdueshme të tregut të naftës nga ana e Doganës së Kosovës dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, është vërejtur se ndryshimet e çmimeve të furnizimit nga importi shpesh pasqyrohen menjëherë në rritjen e çmimeve të shitjes.
Megjithatë, kur çmimet e furnizimit bien, ato nuk pësojnë një ulje proporcionale në treg.
Për të parandaluar këtë praktikë, MINT ka vendosur të kufizojë marzhën maksimale të fitimit për tregtarët e naftës:
Shitja me shumicë: deri në 2 euro cent për litër
Shitja me pakicë: deri në 12 euro cent për litër
Vendimi hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe parashikon një mbikëqyrje më të rreptë nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.
Sipas MINT-it, ky vendim synon të krijojë një ambient më të drejtë për konkurrencë dhe të garantojë mbrojtjen e konsumatorëve në tregun e produkteve të naftës në Kosovë.
