Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, duke shkaktuar reagime të ashpra nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar dhe nga vetë kjo parti politike.
Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, votimi për certifikimin e Listës Serbe përfundoi pa shumicën e nevojshme nën argumentimet se kandidatët e Listës Serbe përfaqësojnë struktura paralele të dirigjuara nga Beogradi dhe nuk veprojnë në interes të qytetarëve serbë në Kosovë.
Gjersa nga Lista Serbe e cilësuan vendimin si diskrimunes e të qëllimshëm meqënëse LISTA Serbe nuk kishte votuar pro Albulena Haxhiut në mbi 50 tentativa të LVV-së për ta bërë Haxhiun Kryekuvendare, kjo e fundit ka mohuar pretendimet duke thënë se qëndrimi i LVV për Listën Serbe tashmë dihet.
Kjo e fundit, tashmë i është drejtuar PZAP-së dhe kjo e fundit, ka 48 orë t’i përgjigjet ankesës.
Reagimet më të forta erdhën nga vendet e QUINT-it (SHBA, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Itali) dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të premten, ambasadat e këtyre vendeve shprehën “shqetësim serioz” për vendimin e KQZ-së, duke theksuar se një veprim i tillë minon parimet themelore të demokracisë dhe rrezikon të shkatërrojë besimin e qytetarëve në institucionet e Kosovës.
“Ne presim që qeveria në largim dhe të gjitha partitë politike të përmbahen nga veprime të mëtejshme që mund të pengojnë regjistrimin e partive. Të gjitha procedurat duhet të zhvillohen në përputhje të plotë me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Njëkohësisht, inkurajojmë palët e prekura që të përdorin Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të kërkuar kompensim”, theksohet në deklaratë.