Seanca në rastin e sulmit terrorist në Banjskë është anuluar për shkak të mungesës së dëshmitares Dragana Antonijeviq.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se në vend të dëshmitares ftesën e ka pranuar babai i saj, i cili ka njoftuar se Dragana ndodhet aktualisht në Serbi.
Gjykata ka paralajmëruar se do të shqyrtojë mundësinë e vazhdimit të seancave me ftesë ose urdhëresë policore për sjelljen e dëshmitares herën tjetër.
Në seancën e radhës më 27 nëntor, do të dëgjohet një dëshmitar nga Maqedonia e Veriut përmes videolidhjes, falë bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.
Një ditë më parë, para Gjykatës Themelore në Prishtinë, dëshmoi dëshmitari anonim “A2” në një seancë të mbyllur, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij. Në këtë rast janë propozuar tre dëshmitarë anonimë “F1”, “A2” dhe “X1”.
Kjo nuk është hera e parë që seancat mbyllen për mbrojtjen e dëshmitarëve. Më 21 korrik, në një seancë të mbyllur ishte dëgjuar dëshmitari anonim “F1”.