Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se qarkullimi i bizneseve për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka shënuar një rekord prej 10.7 miliardë eurove.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit është shënuar një rritje.
“Kjo paraqet një rritje prej 📈10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kjo shifër ishte 9.7 miliardë euro”, ka shkruar Murati.
Për këtë rritje, ai ka lavdëruar punën e qeverisë në raport me mbështetjen për bizneset.
“Si Qeveri jemi përkujdesur që të rrisim mbështetjen për bizneset duke:
– Përmirësuar qasjen në financa përmes rritjes së kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore
– Subvencionuar punësimin e të rinjve përmes Superpuna
– Subvencionuar kreditë investive
– Rritur mbështetjen për sektorin e bujqësisë
– Rritur fuqinë blerëse të familjeve përmes rritjes së pagave, pensioneve, e shtesave për fëmijë
– Paguar me kohë dhe pa vonesa faturat e detyrime ndaj bizneseve.”, ka shkruar Murati.