Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti se i njëjti, ka më shumë se dy dekada ka vepruar kundër shtetit të Kosovës.
Përmes një reagimi në Facebook, Musliu ka thënë se që nga dita e daljes nga burgu, Kurti ka filluar këtë agjendë duke sfiduar, delegjitimuar dhe në fund nënshtruar shtetin.
“Që nga dita kur ka dalë nga burgu, Albin Kurti e ka kanalizuar energjinë e tiij, jo për forcimin e shtetësisë, por për minimin sistematik të saj. Në vend që të angazhohet për shtetin që pretendon se e don, ka zgjedhur ta sfidojë, ta delegjitimojë dhe në fund ta nënshtrojë. E gjithë kjo jo për ideal, por për kontroll. Kosova nuk ka nevojë për një njeri që e sheh shtetin si një pronë personale, e demokracinë si një bezdi që pengon agjendat e tij. Kosova nuk ka nevojë për një person që nuk duron debat, nuk duron opozitë, dhe nuk njeh asnjë kufi kur bëhet fjalë për pushtetin. Kosova është më shumë se një miting. Më shumë se një parullë. Më shumë se një fjalim patetik.”, thuhet në postim.
Sipas Musliut, Kurti nuk njeh kufij kur bëhet fjalë për pushtetin.
“Kosova nuk mund të mbetet peng i një përçarësi ekstremist që nuk njeh as komb as Zot. Tani është koha për t’u indinjuar dhe për t’u ballafaquar. Heshtja nuk është më opsion,” ka shkruar Musliu.