Muzika është një rrëfim i padukshëm që ecën me brezat. Ajo ndryshon ngjyrën e kohës dhe shpesh gjen një zë që e mban “bajrakun” e të parit. Për muzikën shqiptare pas viteve ’90, ky zë mund të themi se është padyshim Flori Mumajesi.
Ai është një artist që e ka kapërcyer kufirin mes artit dhe argëtimit, duke e kthyer “muzikën argëtuese” në një identitet kulturor të kohës sonë dhe një nga më të kërkuarat, dëgjuarat e me më së shumti prodhime nga artistët shqiptarë.
Florian Mumajesi, u bë i njohur fillimisht me grupin West Side Family, në një periudhë kur muzika shqiptare ishte e ndarë mes nostalgjisë dhe modernitetit. Kënga “Mesnatë” e publikuar në vitin 2002 është përmendur shpesh nga kritikët e muzikës si një prej kolonave të para të muzikës urbane shqiptare, pasi solli një ndjesi intime dhe moderne që mungonte deri atëherë.
Sipas një interviste në Top Channel (2005), vetë Flori u shpreh: “E shihnim se muzika shqiptare kishte nevojë për diçka që lidhej me jetën reale të të rinjve, për fjalë më të thjeshta e ndjenja më të prekshme”.
Ky vizion do të shndërrohej më pas në filozofinë e gjithë krijimtarisë së tij. Në këngë si “Shpirt”, dhimbja merr trajtat e një poezie moderne, e ngarkuar me pak fjalë të kapshme për publikun, e qartë për tu kuptuar, e shumë e thellë për tu ndjerë. Kritika muzikore shqiptare e ka cilësuar këtë këngë si “baladë e brezit të 2000-ës” (Revista Anabel Music, 2018). Vargjet e thjeshta, por të mbushura me intensitet, e kthejnë atë në një këngë ku çdo i dashuruar me gjysmë zemre, e gjithë të lënduarit gjejnë pasqyrën e shpirtit të vet.
Po ashtu, “Me zemër” (2012) e sjell dashurinë jo si idealizim të paarritshëm, por si një betejë të brendshme mes zemrës dhe arsyes edhe këtu pa rëndesa të mëdha fjalësh, duke mbajtur thjeshtësinë e saj me një peshë të madhe ndjenjash e pasuar me një ritëm modern nga ana e tij, që edhe sot, dëgjohet tej mase nga të gjithë. Por Flori nuk është thjesht poet i ndjenjës.
Ai është edhe mjeshtër i ritmit. Këngë si “Plas” (2015) dhe “Kush të do” (2018) dëshmojnë se argëtimi nuk është vetëm vallëzim, por është një formë e lirimit të shpirtit. Në Kosovë e Shqipëri, këto këngë vazhdojnë të jenë himne nate, ku çdo refren bëhej thirrje kolektive për të harruar lodhjen dhe për të përqafuar jetën.
Në një analizë të Balkan Music Aëards (2011), ku Flori u shpall “Best Male Artist of Balkans”, u theksua se suksesi i tij qëndron në aftësinë për të “ndërthurur emocionin me tingullin modern, duke bërë që muzika shqiptare të jetë konkurruese në rajon”.
Në epokën e rrjeteve sociale, muzika e Florit nuk humbi, përkundrazi u ringjall edhe më fuqishëm. Kënga “Doja” (2020) arriti mbi 20 milion shikime në YouTube, duke treguar se një këngë baladë mund të ketë po aq ndikim sa një hit veror. Sipas raportit të IFPI (2022), mbi 67% e të rinjve 16–24 vjeç në Evropë dëgjojnë muzikë kryesisht përmes platformave streaming.
Flori, me instinktin e tij artistik, është bërë një nga artistët shqiptarë më të dëgjuar në Spotify dhe Apple Music, duke provuar se arti i tij është i përshtatur me ritmin e kohës. Sigurisht, çdo sukses i madh ka pasur edhe kritikë.
Disa “muzikologë” shqiptarë e akuzonin Florin për “komercializim të artit” dhe për largim nga rrënjët folklorike. Por, siç thekson studimi i Ethnomusicology Revieë (2021) mbi muzikën pop-ballkanike, “arti pop nuk duhet parë si rënie e standardit, por si zgjerim i fushës së shprehjes kulturore”.
Në këtë pikë, lirshëm mund të themi se Flori nuk e ka “prishur” muzikën ai e ka modernizuar dhe e ka bërë pjesë të jetës së përditshme të gjithë shqiptarëve, duke i dhënë artit tonë një shije ndërkombëtare. Sot, muzika argëtuese shqiptare është realiteti dominues i tregut.
Klubet, festivalet dhe platformat digjitale mbushen me zërat e rinj që ecin në gjurmët e Florit. Por rrënja e kësaj muzike, e padukshme por e gjallë, mbetet ai. Flori Mumajesi nuk është thjesht këngëtar apo producent.
Ai është arkitekt i ndjenjës moderne shqiptare, një poet i dashurisë së përditshme dhe një mjeshtër i argëtimit që e ktheu këngën në pasqyrë të shpirtit kolektiv. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse muzika jonë sot tingëllon ndryshe: sepse një njeri pati guximin të ëndërrojë dhe ta kthejë ëndrrën në tingull.
Mumajesi ka kohë që nuk është aktiv me projekte të reja muzikore, duke shpresuar e duke i bërë thirrje përmes këtij shkrimi, njëlloj siç kanë bërë këngëtarët, gazetarët e të shumtë njerëz para meje, ti japim guxim dhe shtysë ëndrrës më të mirë që ai sheh, bën dhe prek, muzikën!