Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një personi përgjegjës të një kompanie ndërtimore dhe vetë kompanisë “E.I.” Sh.P.K., nën dyshimet për punime të kundërligjshme dhe heqje të vulave zyrtare.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri I.J., si person përgjegjës i “E.I.” Sh.P.K., gjatë periudhës 5 deri më 23 prill 2024, ka vepruar në kundërshtim me lejen e ndërtimit në rrugën “Adnan Krasniqi” në Prizren.
Në vendin ku po ndërtohej një objekt kolektiv me lokale afariste, i pandehuri dyshohet se ka ndërtuar pa leje një aneks shtesë të ‘penthausit’ mbi katin e shtatë të objektit, duke tejkaluar projektin e miratuar.
Edhe pse Inspektorati kishte urdhëruar ndalimin e punimeve, ndërtimi ka vazhduar.
Madje, sipas aktakuzës, i pandehuri ka betonuar pllakën e aneksit të ‘penthausit’ dhe ka ngritur shtylla e trarë, duke mos respektuar as vendimin për ndalim pune.
Për më tepër, të pandehurit dyshohet se kanë hequr në mënyrë të kundërligjshme shiritat zyrtarë të vendosur nga Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, të cilët shënonin ndalimin e punimeve ndërtimore në atë pjesë të objektit.
Prokurori i rastit ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale: “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, dhe të dënohen sipas ligjit.