Nesër konstituimi i Kuvendit, Jashari: VV-ja më lehtë e arsyeton votimin e nënkryetarit serb sesa shkeljen e Kushtetutës 

Avokati Arbër Jashari vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje mund ta ketë më të lehtë politikisht dhe juridikisht të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, sesa të rrezikojë shkeljen e Kushtetutës.

Komentet e Jasharit vijnë në prag të seancës konstituive të Kuvendit, e cila është thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për 11 shkurt (nesër), pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Në këto zgjedhje, LVV ka siguruar mbi 51 për qind të votave dhe 57 ulëse në Kuvend, ndërsa 20 ulëse janë të rezervuara për komunitetet joshumicë.

Sipas Jasharit, edhe pse LVV më herët ka kritikuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në rastin e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit ekziston një mekanizëm i qartë kushtetues që duhet respektuar.

Ai thekson se LVV mund të arsyetohet para elektoratit të vet duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se ka provuar të gjejë zgjidhje, por është e detyruar të veprojë sipas vendimit të gjykatës dhe rrethanave politike.

“Pavarësisht se i ka kritikuar vendimet e GJK, te kjo zgjedhja e Kuvendit që GJK kishte atë mekanizëm de bllokues, që për tri herë, prapë së prapë LVV-ja e ka respektuar. Dhe po besoj që LVV-ja e ka edhe më lehtë të arsyetohet para opinionit dhe votuesve të vet se është një vendim i GJK, ne kemi ndërmarrë, kemi provuar por tash jemi mbështetur për muri, dhe s’kemi ku të shkojmë sepse ka vendosur dikush tjetër. Edhe jemi në rrethana politike që nuk e kemi komoditetin për të vazhduar tutje. Kjo do të ishte arsyeja. Askujt më shumë se LVV-së se është një vendim i gjykatës, GJK e ka thënë që kjo është procedura, kjo është forma e rregullt e zgjedhjes së nënkryetarët nga radhët e komunitet serb. Është në një situatë që nëse nuk e respekton po i bie që po e shkel Kushtetutën. Pra, besoj që dëmi më i vogël do të krijohej për të në opinionin publik në rast se e voton një kandidatet të Listës Serbe se sa ta shkel Kushtetutën”, ka thënë Jashari.

Zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli jokushtetuese zgjedhjen e deputetit Nenad Rashiq në këtë post legjislaturën e kaluar. Vendimi erdhi pas ankesës së Listës Serbe, e cila kundërshtoi procedurën e zgjedhjes.

Gjykata Kushtetuese konstatoi se zgjedhja e Rashiqit nuk ishte bërë në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës dhe me rregulloren e Kuvendit, duke theksuar se propozimi i kandidatëve për nënkryetar nga komunitetet joshumicë është e drejtë që i takon shumicës së deputetëve të atij komuniteti.

Në aktgjykim u theksua se përdorimi i mekanizmave të debllokimit nuk mund të shërbejë për t’i mundësuar shumicës parlamentare të caktojë përfaqësuesin e një komuniteti pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, pasi një veprim i tillë do të anashkalonte garancitë për përfaqësimin e komuniteteve joshumicë.

Megjithatë, Gjykata kishte sqaruar se vendimi nuk ka efekt prapaveprues, duke u bazuar në parimin e sigurisë juridike.

Zgjedhja e Rashiqit në legjislaturën e kaluar kishte ardhur pas 27 tentimeve të pasuksesshme për zgjedhjen e kandidatëve të propozuar nga Lista Serbe, ndërsa ai kishte marrë mbështetjen e LVV-së, LDK-së dhe deputetëve të komuniteteve joserbe.

Shija e redaktorit

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Të fundit nga rubrika