Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur sot gjykimi ndaj Jellena Gjukanoviq, punonjëse e OSBE-së e akuzuar për spiunazh, e cila ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Paraprakisht, prokurori special Bekim Kodraliu ka lexuar aktakuzën, sipas së cilës Gjukanoviq dyshohet se ka informuar me vetëdije Agjencinë e Inteligjencës në Serbi, duke i përcjellë të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj në kuadër të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Sipas aktakuzës, ajo akuzohet edhe për ndikim në raportet e OSBE-së që pasqyronin situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, me qëllim që të krijohej “një narrativë armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë”.
Prokurori Kodraliu ka theksuar se me këto veprime Gjukanoviq “ka cenuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare, duke vënë në rrezik serioz jetën e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit si dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë”.
Gjukanoviq u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe që nga ajo kohë ndodhet në paraburgim.
Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, dyshohet se Gjukanoviq ia ka transmetuar informacionet e siguruara zyrtarëve të lartë të me Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit dhe L.B.
Muajin e kaluar, në Kroaci u arrestuan edhe një shtetase serbe e Kosovës dhe partneri i saj kroat, po ashtu nën dyshime për spiunazh.
Sipas raportimeve, kroati – ish-pjesëtar i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) – dyshohet se i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij, e cila më pas ia ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.