Kryetari aktual i Lipjanit, Imri Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorët dhe përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese, sot ka marrë pjesë në fillimin e përgatitjes së terrenit, ku do të ndërtohet lagjja e re banesore, e cila do t’u dedikohet familjeve të kategorive të dala nga lufta.
Ahmeti theksoi se ky projekt i rëndësishëm synon të ofrojë strehim të denjë dhe mundësi të reja për familjet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së, duke u krijuar atyre kushte të përshtatshme për jetesë dhe siguri për të ardhmen, njofton Dukagjini.
“Po ndërtojmë një lagje të re, të bukur dhe me kushte moderne, e cila do të ofrojë strehim të denjë dhe mundësi të reja për familjet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së. Kjo lagje do t’i japë qytetit një pamje më të mirë, por mbi të gjitha do të sjellë qetësi dhe siguri për shumë familje. Ky është vetëm një hap tjetër në rrugën tonë të përkushtimit dhe punës konkrete”, tha Ahmeti.
Lagjja e re do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 45,000 m², me rreth 100 njësi banesore, të cilat do t’u jepen falas për shfrytëzim afatgjatë përfituesve.