Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji ndaj të pandehurit Sinisha Spasiq, i dyshuar për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.
Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, në bashkëkryerje, ka kryer krime lufte ndaj civilëve.
Sipas njoftimit të gjykatës, më 6 prill 1999, gjatë luftës në Kosovë, i pandehuri Spasiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të uniformuar të policisë dhe ushtrisë së Serbisë, në fshatin Reznik të Vushtrrisë, gjatë një aksioni të organizuar kishin plaçkitur e djegur shtëpi dhe kishin ekzekutuar civilë të paarmatosur. Viktimat e vrara ishin I.U., M.U. me bashkëshortet, B.U., F.U., S.U. dhe F.U., ndërsa T.U. dhe bashkëshortja e tij H.U. u vranë gjatë ditës kritike.
Në të njëjtën ngjarje, pas plaçkitjes së parave, ata kishin marrë me dhunë viktimën B., të cilën e kishin dërguar në katin e dytë të shtëpisë, ku fillimisht e kishin rrahur e maltretuar dhe më pas e kishin dhunuar seksualisht njëri pas tjetrit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Gjykata ka vlerësuar se pesha e veprës është e rëndë dhe komplekse, andaj paraburgimi konsiderohet masë e domosdoshme, pasi çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e procedurës penale.
Po ashtu, gjykata konstatoi se ekziston rreziku i arratisjes, pasi i pandehuri është shtetas i Serbisë dhe mund të shmanget nga fazat e mëtejshme të procesit gjyqësor.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore të Prishtinës.