
Më 15 tetor, Ursula von der Leyen i dha Aleksandar Vuçiqit një “leksion” të drejtpërdrejtë që në konferencën për media, duke i thënë hapur: “Ju e dini shumë mirë qëndrimin tonë.”
“Zoti president, tani është momenti i duhur që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit,” i tha ajo.
Në fjalimin e saj, von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian qëndron në anën e vlerave demokratike dhe të lirisë së shprehjes:
“Ne jetojmë në një botë të fragmentuar, e cila thellon hendekun midis demokracisë dhe autokracisë. Qëndrimi i BE-së nënkupton liri, e jo shtypje – përfshirë të drejtën për tubim paqësor.”
Ajo gjithashtu i bëri të ditur Vuçiqit se BE-ja dëshiron partneritet, e jo nënshtrim, dhe diplomaci në vend të agresionit.
Sipas saj, vendimi që Serbia t’i bashkohet BE-së ishte dëshirë e qytetarëve serbë.
“Pothuajse dy dekada më parë, Serbia mori vendimin për t’u bashkuar me BE-në, dhe tani është koha e duhur për të bërë hapa konkretë drejt këtij qëllimi. Pika e parë është që Serbia të tregojë përparim në fushën e sundimit të ligjit, mediave elektronike dhe legjislacionit zgjedhor. Vetëm me këtë përpjekje mund t’i afrohet qëllimit,” tha ajo.
Von der Leyen e ftoi gjithashtu Vuçiqin që për afërsisht një muaj të vijë në Bruksel dhe të raportojë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të përmendura.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u duk dukshëm i pakënaqur nga qortimet që mori drejtpërdrejt “në kokë”, pasi iu tha në sy se Serbia duhet të ndalojë së luajturi rolin e një demokracie, dhe se politika proruse është krejtësisht e papranueshme për BE-në, ashtu si edhe miqësia e tij me Putinin dhe Lukashenkon.
Ajo që e irritoi veçanërisht Vuçiqin ishte paralajmërimi i von der Leyen që të heqë dorë nga retorika agresive ndaj vendeve të rajonit.
Ky ishte vetëm njëri nga leksionet që Vuçiq duhet të mësojë nëse dëshiron që BE-ja të ndihmojë Serbinë, pasi bëhet fjalë për 100 milionë euro ndihmë në kuadër të mbështetjes për Ballkanin Perëndimor.
Në të njëjtën kohë po punohet për integrimin e Serbisë në sistemin e unifikuar të pagesave të BE-së.
Të gjitha këto i erdhën rëndë autokratit serb. Përballë pyetjes së një gazetareje të “armiqësorit” Radio Evropa e Lirë, ai iu përgjigj me një ton paksa të ngritur, duke thënë se policia serbe nuk ka qenë aspak brutale, por “e mrekullueshme dhe tolerante ndaj demonstruesve”. Por aq ishte e gjitha.
Asnjë shfryrje ndaj gazetarëve “të papërshtatshëm”, as fjalime të pafund me fyerje dhe akuza të pabaza.
Asnjë fjalë për “revolucionin me ngjyra” që, sipas tij, gjoja po e organizojnë “zlikanë nga Perëndimi, ai ‘plehu evropian’”.
Dhe pikërisht tek ai “pleh evropian” dhe tek Ursula von der Leyen, Vuçiqi do të shkojë në Bruksel pas rreth një muaji — jo për “ëmbëlsira”, por për të dhënë llogari nëse ka bërë diçka konkrete apo jo.