Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Tahir Zemajn në 20-vjetorin e vrasjes së tij.
E para e vendit ka kërkuar që të bëhet ndriçimi i vrasjes së trefishtë.
“Në 20-vjetorin e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin kujtimi për ta vjen si thirrje që vrasja e tyre të zbardhet”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se Kolonel Zemaj ishte njeriu stoik, që me angazhimin e tij la gjurmë të pashlyeshme në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Heroizimi i tij i jep kuptim të sotmes sonë, teksa vepra e tij do të mbetet në kujtesën e brezave që vijnë”, ka vijuar ajo.
Ishte 4 janari i vitit 2003, kur në hyrje të Pejës u vra koloneli Tahir Zemaj së bashku me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn, Hasanin.