Presidentja Vjosa Osmani është takuar të hënën me presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello, ku kanë diskutuar rritjen e rolit të Kosovës në këtë organizatë, pas avancimit të vendit në statusin e anëtarësuarit asociuar.
Osmani ka theksuar se Kosova do të shfrytëzojë këtë mundësi si pjesë e aspiratës për anëtarësim të plotë në NATO, që mbetet prioritet i politikës së jashtme dhe çështje kyçe për sigurinë kombëtare.
“Rikonfirmova se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës sonë më të gjerë për anëtarësim në NATO, që mbetet njëkohësisht prioritet i politikës sonë të jashtme dhe çështje e rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Gjatë takimit, ajo ka falënderuar Perestrellon për vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për t’i dhënë Çmimin “Gratë, Paqja dhe Siguria”, duke e cilësuar këtë si një vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës dhe për kontributin e tyre në paqe, siguri dhe ndërtimin e shtetit.