Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të protestës gjithëkombëtare që do të mbahet më 17 tetor në Tiran për të përkrahur ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Ajo tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e të cilën tha se do ta mbrojnë deri në fund.
‘‘E mbështes këtë protestë e kam mbështetur secilin protestë të cilat thërret për drejtësi, qytetarët dhe shqiptarët nuk kanë kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësisë. Drejtësi e cila respekton parimet më të lartë të mbrojtës së drejtës së njeriut. Kosova dhe krerët në Hagë pikërisht që kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur para saj, janë bërë pesë vite pa asnjë dyshim në drejtësi ndërkombëtarë. Ne si institucione të Kosovës vazhdimisht kërkojmë që parimet më të larta të mbrojtës të drejtave të njeriut të respektohen, i jap të drejtë qytetarëve tanë dhe I mbështes sa herë protestojnë për të kërkuar respektimin e këtyre standardeve.
Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri për ta mbrojtur popullin dhe ta çliruar Kosovën nga okupimi që ka zgjatur për shekujt, dhe luftë që ka pasur fokus mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe qytetarëve të pafajshëm të cilët vriteshin masakroheshin nga ushtria serbe. Për këdo që ka parë luftën dihet e qartë ka qenë vetëm një agresor ajo ka qenë Serbia dhe ka qenë vetëm një viktimë ajo ka qenë Kosova. UÇK ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës, dhe drejtësinë e kësaj luftë do ta mbrojmë deri në fund”, kështu deklaroi Osmani pas vizitës që pati bashkë me drejtoreshën e organizatës “Jeta Vita”, Nafije Latifi në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës.