Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, është përballur me një sfidë të drejtpërdrejtë nga moderatori Ermal Panduri, lidhur me deklaratat e tij kontradiktore për vendin ku është bërë audio-incizimi që ka nxitur debat publik.
Gjatë diskutimit, Panduri i kujtoi Lladrovcit se ai kishte dhënë dy versione të ndryshme për vendin ku ishte realizuar incizimi, njëherë duke thënë se kishte ndodhur në zyrën e kryetarit, e më pas në hotelin “Emerald”.
“Në zyrën e kryetarit keni thënë sot një javë… edhe këtu më thatë në Emerald”, i tha Panduri, duke e vënë në siklet kryetarin e Drenasit.
Moderatori shtoi se këto deklarata janë të kundërta dhe ngrejnë pikëpyetje për vërtetësinë e rrëfimit të Lladrovcit.
“Zyrë e Emerald – dy deklarata që bien ndesh njëra me tjetrën”, tha Panduri.
Në përgjigje, Lladrovci u përpoq të qartësojë se nuk kishte kundërthënie në qëndrimet e tij, duke theksuar se bisedat e përmendura janë të njëjta në përmbajtje.
“Në dy takimet janë thënë të njëjtat gjëra”, u shpreh Lladrovci.
Ky moment në Debat Plus u cilësua si një nga përballjet më të tensionuara të mbrëmjes, duke e vënë Lladrovcin në qendër të vëmendjes për sqarimet e tij rreth audio-incizimit që vazhdon të shkaktojë reagime të shumta publike.