Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i cili as sot nuk mori votat e mjaftueshme për tu bërë kryetar i Kuvendit ka deklaruar se përfundimisht sot “iu hoq peta laknorit”, duke u dëshmuar, sipas tij, se opozita po e mban Kuvendin e bllokuar.
Murati tha se qëllimi i opozitës ka qenë që nga fillimi të pengojë funksionalizimin e Kuvendit, pasi nuk duan ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.
“Të gjitha kanë qenë arsyetime për të zvarritur kohën. Është kohë e humbur për qytetarët, për institucionet dhe të gjithë. Ata po kërkojnë figurë uniteti, por uniteti duhet për presidentin”.
”Kryetarin e Kuvendit e zgjedh partia e parë fituese. Qëllimi i këtyre partive është që rezultatin që nuk ua dha qytetari në zgjedhje, ta vjedhin në tavolinë përmes vendimeve si ai i Kushtetueses”, tha Murati.