E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë rrëfimit të saj ka thënë se pas dhunimit, kishte marr trauma, gjë që ndikoi të mendonte se të gjithë po e dinë çka i ka ndodhur dhe se po e shohin të tjerët me një sy tjetër.
“Po, se çdo herë kur je i traumatizuar, i mërzitur, i vuajtur, reagimet e njeriut nuk janë sikur kur je një njeri pak më stabil, sikur kur je në traumë. Çdo herë si në fjalë, si në traumë, nuk hiqet, mund të zvogëlohet, por jo të hiqet tërësisht derisa të vdes”, tregon ajo në ciklin e emisioneve në Debat Plus, “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e luftës”.
Megjithkëtë, historinë ajo arrit ta ndajë me dikë.
“Po, i vetmi burri. I kam treguar pa u fejuar se çka më ka ndodhur, edhe ai pranojë. Normal që pranoi se edhe ai kishte qenë në burg, pasi e kishin pas arrestuar edhe atë, një vit ka qëndruar në burg gjatë luftës. Edhe ai ka përjetuar shumë, e dinë çka është me qenë në dorë të tyre dhe ai është i vetmi person që me ka kuptuar”, theksoi ajo.
Ajo thotë se pas kësaj që i ndodhi në luftë, e vetmja organizatë që, sipas saj, bëri aq shumë për ta, është Medica Gjakova.
“Falë Zotit, Medica Gjakova çdo herë neve na kanë dhënë kurajo, prandaj jam këtu, se s’kam qenë në gjendje të kujdesëm për vetveten dhe fëmijët. Por atëherë kur është dashur të kujdesëm për fëmijët, s’kam arritur të kujdesëm sa duhet, të angazhohem për ta, por sot jam më mirë, kujdesëm për fëmijët, punoj”, rrëfen ajo.
Ajo thotë se tani është e lumtur që fëmijët i ka të shëndoshë dhe ëndërron që ata të shkollohen, meqë ajo nuk pati mundësi pasi lufta ia ndaloi.