Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se është duke i rrezikuar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Përmes një komunikate, PDK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i rimendojë veprimet e saj në veri të Kosovës.
“Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë të vendit tonë, që tashmë kanë filluar të rezultojnë me ndëshkime të drejtpërdrejta, pasi Kosova u përjashtua nga stërvitja më e madhe ndërkombëtare e NATO-s në rajonin e Ballkanit, ‘Defender Europe 2023’. Ky përjashtim është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-s dhe është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës e ka dënuar fuqishëm dhunën e grupeve kriminale të drejtuar kundër pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe Policisë së Kosovës, dhe veçanërisht kundër përfaqësuesve të mediave, të cilët janë penguar dhe sulmuar në kryerjen e detyrës së tyre në shërbim të informimit të qytetarëve.
PDK ka shprehur mbështetje të plotë për kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, që vijnë nga radhët e partisë së tyre.
Sipas PDK-së, dy kryetarët kanë treguar gatishmëri për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim, por edhe kanë bërë thirrje për rikthimin e normalitetit për të mundësuar zbatimin e mandateve të tyre.
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës i bën thirrje presidentes dhe kryeministrit që ta mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës.