Pesë persona janë arrestuar në Gjakovë pas një përleshjeje fizike, e cila nga Policia e Kosovës po hetohet si vrasje në tentativë.
Një nga të përfshirët ka mbetur i plagosur me armë zjarri.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, mes të arrestuarve është edhe një grua, ndërsa tre prej tyre kanë nënshtetësi gjermane.
“Janë arrestuar pesë të dyshuar, katër meshkuj dhe një femër kosovarë, tre prej tyre me nënshtetësi gjermane pasi që janë përleshur fizikisht në mes vete, ku është përdorur edhe arma e zjarrit. Si pasojë, njeri prej tyre ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit dhe është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Gjakovës. Arma e zjarrit e përdorur në rast me një karikator me katër fishekë dhe një gëzhojë janë konfiskuar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit një i dyshuar dërgohet në mbajtje, ndërsa të tjerët lirohen”. thuhet në njoftim.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, një i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa katër të tjerët janë liruar.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.