Përparim Rama: Prishtina në mbështetje të bizneseve përballë krizës së energjisë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë me një deklaratë publike duke shprehur mbështetjen e Komunës për bizneset vendore që po përballen me vështirësi pas kalimit në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Rama theksoi se ndërmarrjet, qoftë të mëdha apo të vogla, janë shtylla kurrizore e ekonomisë dhe po përballen me kosto të larta dhe kërcënime për shkëputje nga rrjeti energjetik.

Sipas tij, reformat në këtë sektor mund të jenë të nevojshme për qëndrueshmëri afatgjatë, por mënyra e zbatimit aktual po vendos barrë të padrejtë mbi bizneset.

 

“Bizneset nuk janë thjesht njësi ekonomike, ato janë punëdhënës, inovatorë dhe ndërtues të komunitetit. Mbijetesa e tyre është përgjegjësi e përbashkët”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërmarrë hapa konkretë, si:

  • zbatimi i një faze kalimtare drejt tregut të liberalizuar,

  • pezullimi i kërcënimeve për shkëputje deri në krijimin e një kornize mbështetëse,

  • si dhe angazhim në dialog të hapur me komunat, odat ekonomike dhe përfaqësuesit e bizneseve.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar veprime të menjëhershme, përfshirë krijimin e një Task Force për Qëndrueshmërinë e Bizneseve, nisma për përdorimin e energjisë së ripërtëritshme, si dhe lehtësime tatimore dhe grante emergjente për bizneset më të prekura.

“Prishtina nuk do të qëndrojë duarkryq ndërsa bizneset tona rrezikojnë të mbyllen. Së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme energjetike më të qëndrueshme dhe më të drejtë”, ka theksuar Rama.

Të fundit nga rubrika