Peskov: Rusia i mohon kategorikisht akuzat për helmimin e Navalny-t

Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, tha sot se Kremlini mohon akuzat për helmimin e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili vdiq në vitin 2024 ndërsa vuante dënimin me burg në një koloni ruse.

“Ne, sigurisht, nuk i pranojmë akuza të tilla; nuk pajtohemi me to. I konsiderojmë të anshme dhe të pabazuara. I hedhim poshtë me vendosmëri”, tha Peskov në një konferencë për shtyp, raporton Vedomosti.

Britania e Madhe dhe disa vende perëndimore njoftuan më 14 shkurt se dyshohet se është gjetur helm në mostrat e marra nga trupi i Navalny-t.

Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, raporti i vendeve perëndimore për Navalnyn është një përpjekje për të larguar vëmendjen e publikut nga dosja e Jeffrey Epstein, financierit amerikan të akuzuar për krime seksuale.

Qeveritë britanike dhe suedeze publikuan gjetjet e ekspertëve perëndimorë që hetonin shkakun e vdekjes së Navalny-t, të cilat arritën në përfundimin se ai vdiq nga helmimi me epibatidinë, një toksinë e gjetur në lëkurën e një bretkose helmuese të Amerikës së Jugut.

Rusia kreu hetimin e vet, i cili arriti në përfundimin se Navalny vdiq nga shkaqe natyrore.

Sergei Naryshkin, drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), i përshkroi reagimet e vendeve perëndimore ndaj vdekjes së Navalny-t si “vallëzim satanik” rreth arkivolit të tij.