E para e shtetit, Vjosa Osmani do të dekorojë këtë të mërkurë të parin e Federadës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino.
Ceremonia zytare do të mbahet në ambientet e Presidencës së Kosovës dhe pritet të fillojë nga ora 13:00.
I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Osmanit për këtë veprim, duke e cilësuar si një akt që dëshmon respektin e institucioneve të Kosovës për rolin dhe kontributin e Infantinos në zhvillimin e futbollit kosovar.
“Gianni Infantino pati fatin që, në Kongresin e tij të parë si president i FIFA-s në vitin 2016, ta shpallë Kosovën anëtare të barabartë të organizatës. Ky ishte një moment historik që ndryshoi përgjithmonë rrugëtimin tonë si shtet në arenën ndërkombëtare të futbollit,” ka shkruar Ademi në një postim në Facebook.
“Ky vendim i juaji, Presidente, e forcon edhe më shumë partneritetin mes institucioneve shtetërore dhe atyre sportive, duke dëshmuar se futbolli është një urë që bashkon njerëzit, gjeneratat dhe kombet,” ka theksuar Ademi.
Sipas tij, ky dekorim përfaqëson një nder të madh për gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim të gjatë e të lavdishëm.