Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policia e Kosovës, ka nisur hetime me vetiniciativë lidhur me dyshime për falsifikim të rezultateve zgjedhore gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.
Sipas komunikatës zyrtare, pas autorizimit të Kryeprokurorit Petrit Kryeziu, në kuadër të hetimit janë intervistuar 51 persona të dyshuar. Nga ta, nëntë persona – në cilësinë e kryesuesve të komisioneve – janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, për dyshime të bazuara për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria njofton se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë.
Institucionet theksojnë përkushtimin për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, të drejtës së votës dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të trajtohet me vendosmëri.