Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zgjeruar hetimet lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve zgjedhore në Komunën e Prizrenit.
Hetimet po zhvillohen pas pranimit të informatave publike që ndërlidhen me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përkatësisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, në kuadër të zgjerimit të hetimeve dhe pas autorizimit nga Prokurori i Shtetit, janë intervistuar gjithsej 28 persona të dyshuar si dhe 6 dëshmitarë.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pesë persona janë ndaluar për 48 orë.
“Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të zgjerimit të hetimeve, janë intervistuar njëzet e tetë (28) të dyshuar dhe gjashtë (6) dëshmitarë. Pesë (5) prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë. Katër (4) prej tyre, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 të KPRK-së, si dhe një (1) person në cilësinë e Koordinatorit të KKZ-së për Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së. Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë. Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.