Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën, më 28 dhjetor 2025, Prokurori i Shtetit ka përmbyllur të gjitha përgatitjet e nevojshme me qëllim të mbrojtjes së votës së lirë të qytetarëve dhe garantimit të integritetit të procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit, në këto zgjedhje do të angazhohen rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të jenë kujdestarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës deri në përfundim të procesit zgjedhor, për të trajtuar dhe proceduar çdo parregullsi që mund të paraqitet.
Prokurori i Shtetit u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës, subjekteve politike, si dhe institucioneve apo organizatave të ndryshme, që të raportojnë në prokuroritë përkatëse çdo rast për të cilin dyshohet se ka keqpërdorim apo manipulim të votës, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë.