Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime në dy raste të ndara ndaj Mefail Shkodrës, i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Në prill të këtij viti, Prokuroria Speciale ka thënë se është njoftuar nga Policia e Kosovës për paraqitjen e një kallëzimi penal nga B.H ndaj Mefail Shkodrës
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar hetime në dy raste të ndara ndaj të dyshuarit M.Sh. Me datë 25 prill 2025, PSRK është njoftuar nga Policia e Kosovës për paraqitjen e një kallëzimi penal nga ana e B.H. ndaj të dyshuarit M.Sh. Menjëherë pas pranimit të informatave, në po të njëjtën ditë Prokuroria ka filluar të ndërmarrë veprimet hetimore dhe ka autorizuar hetuesit policorë për ndërmarrjen e masave dhe veprimeve të nevojshme ligjore. Në këtë rast, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, pasi në fazën fillestare të procedurës kanë qenë të nevojshme ndërmarrja e veprime të tjera hetimore me qëllim verifikimin e pretendimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria Speciale ka theksuar se nuk kanë pranuar “asnjë informacion apo dëshmi që do të tregonte se ankuesi apo ndonjë anëtar i familjes së tij kanë qenë të kërcënuar nga ana e të dyshuarve”.
“Prokuroria sqaron se në rastin e parë, i dyshuari M.SH dhe E.SH kanë qenë në paraburgim për katër muaj për disa vepra penale, përfshirë fajden dhe detyrimin. Pas propozimit të avokatëve mbrojtës për zëvendësimin e masës me dorëzani në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e njëjta propozimin e tillë e ka përcjell për vlerësim në Prokurori. PSRK-ja pas analizimit të kërkesës, ka dhënë propozimin për ndryshimin e masës së sigurisë, dhe Gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës, pasi është vlerësuar se nuk ekzistonin më kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit”, thuhet më tej në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.
Ndaj Mefail dhe Edonis Shkodrës, Prokuroria thotë se ka sekuestruar nëntë prona të paluajtshme dhe ka intervistuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rast penal.
“Njëkohësisht ndaj këtyre të pandehurëve kjo Prokurori ka sekuestuar 9 prona të paluajtshme në kuadër të këtij hetimi, dhe ka intervistuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rast penal, në përputhje me standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Theksojmë se rasti është ende në fazën e hetimeve, dhe gjithashtu janë duke u siguruar prova në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Prokuroria mbetet e përkushtuar për zhvillimin e një hetimi të pavarur, të paanshëm dhe të plotë, dhe siguron opinionin publik se çdo veprim po ndërmerret në përputhje me standardet ligjore dhe institucionale”, theksohen Prokuroria Speciale./KSP