Promovimi i produkteve “Made in Kosova”- detyrë shtetërore

Produkteve vendore “Made in Kosova”, duhet t’u ofrohet pjesa më e mirë në shitoret që operojnë brenda shtetit të Kosovës, por, përveç kësaj, duhet të subvencionohen prodhuesit vendorë, për të rritur cilësinë e produkteve që prodhojnë.

Por, këtë gjë, pjesa dërrmuese e bizneseve që operojnë në Kosovë nuk e bëjnë vullnet të lirë nga ndjenja patriotike, prandaj është e nevojshme edhe intervenimi i shtetit për t’i përkrahur prodhuesit vendorë nëpërmjet një ligji, i cili do t’i obligonte dyqanet që produkteve “Made in Kosova” t’u ofrojnë hapësirë të veçantë nga ato jovendore.

Kjo, sepse, qytetarët e Kosovës shpeshherë nuk mund t’i gjejnë lehtë produktet vendore nëpër shitore, pasi produktet “Made in Kosova” nuk vendosen sikurse ato që importohen. Produkteve “Made in Serbia” u ofrohet pjesa më e volitshme nëpër shitore, për shkak se prodhuesit e këtyre produkteve paguajnë që ato të vendosen në vendet më të volitshme, dhe si pasojë e kësaj, produktet “Made in Kosova” në shtetin e tyre vendosen aq keq dhe aq fshehur saqë nuk shihen.

Politikanët që kanë bërë thirrje rrugëve për t’i blerë produktet vendore, nëse ato thirrje i kanë pasur të sinqerta, tani është koha që t’u dëshmojnë qytetarëve të vendit, duke shtyrë përpara ligjin i cili do t’i obligonte shitoret që produktet “Made in Kosova” të jenë të ndara nga të gjitha produktet jovendore.

Përveç kësaj, edhe bizneset duhet ta rrisin cilësinë e  produkteve vendore, pasi edhe kjo është një nga arsyet pse shumë qytetarë nuk i blejnë ato. Prodhuesit nuk duhet të kenë frikë nga cilësia, sepse çmimi arsyetohet kur kualiteti i produktit është në rregull.

Por edhe shteti i Kosovës duhet t’i përkrahë prodhuesit vendorë nëpërmjet subvencioneve për rritjen e cilësisë së produkteve.

Megjithatë, kjo iniciativë duhet të fillojë nga poshtë, lart. Qytetarët duhet ta nisin një peticionin, me anë të të cilit do të kërkonin përkrahjen e të gjithë deputetëve pa dallime politike.

Shteti forcohet kur arrihet fuqizimi i prodhuesve vendorë, sepse jemi dëshmitarë të inflacionit enorm për shkak të varësisë nga importi.

Të fundit nga rubrika