Avokati Tomë Gashi në emisionin FIVE në RTV Dukagjini ka folur lidhur me protestën që po zhvillohet në Tiranë për drejtësi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
Ai ka thënë se kjo protestë do të duhej të ishte më madhështorja, për të tentuar të parandalohej keqpërdorimi që, sipas tij, po e bën haptas Gjykata Speciale.
“Ne kemi pasur me qindra seanca të cilat kanë qenë krejtësisht të mbyllura dhe që opinioni në Kosovë — ne, shqiptarët e Kosovës, por edhe të gjithë ata që janë të interesuar të dinë se çfarë ka ndodhur atje — e kanë të pamundur”, ka thënë Gashi.
“Duke pasur një gjykatë që ne e kemi formuar vetë, e kemi deleguar sovranitetin juridik të pjesshëm në Holandë… dhe tani po e vërejmë se duket që gjykimi nuk po shkon ashtu siç është paramenduar që do të ketë drejtësi atje. Por duket se këto seanca të mbyllura, ashtu si edhe seancat me dëshmitarë anonimë dhe të mbrojtur, po lënë faktikisht një frikë se epilogu mund edhe të mos jetë drejtësi”, ka theksuar ai.