Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për takimin me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj dhe nënkryetarin e parë, Ardian Gjini ku është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi e ka quajtur takim përmbajtësor.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim, Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi ka thënë se është diskutuar për procesin e dialogut, idetë, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat po qarkullojnë nëpër kancelaritë perëndimore e demokratike, e që në këtë periudhë “funksionojnë si sprova dhe testime”.
Shefi i ekzekutivit e njoftoi kryetarin e AAK-së, Haradinaj për “takimet në Bruksel dhe Prishtinë, konstruktivitetin dhe kreativitetin e Kosovës përgjatë gjithë procesit të bisedimeve, i cili duhet përmbyllur me normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”.
Kryeministri Kurti e falënderoi kryetarin e AAK-së, Haradinaj për interesimin e vazhdueshëm dhe të qenët aktiv për këtë çështje.