Një raport i publikuar nga New Diplomacy Project në Londër, me titull “Restoring British Leadership in the Western Balkans”, paralajmëron për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë në nxitjen e destabilitetit në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Raporti, i hartuar nga një grup ekspertësh britanikë dhe ndërkombëtarë, përfshirë ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, paraqet një tablo të qartë të ndikimit rus dhe serb në prishjen e paqes rajonale.
Kosova në qendër të krizës së sigurisë
Sipas raportit, Kosova është bërë “epiqendra e përpjekjeve të koordinuara ruso-serbe për destabilizim”, me theks të veçantë në sulmin paramilitar të shtatorit 2023 në Banjska, ku mbetën të vrarë tre persona, përfshirë një polic të Kosovës, heroin Afrim Bunjku.
Dokumenti thekson se sulmi ishte drejtuar nga ekstremistë me lidhje direkte me qeverinë e Aleksandar Vuçiqit, ndërsa Rusia ka luajtur rol logjistik dhe informativ në këtë operacion.
Raporti përmend se Kremlini dhe Beogradi po kryejnë operacione të përbashkëta inteligjente në rajon për të penguar zgjerimin e NATO-s dhe për të forcuar ndikimin serbo-rus në Kosovë, Bosnje dhe Mal të Zi.
Përmes kishës ortodokse serbe dhe rrjeteve të fshehta të organizatave kulturore, Rusia po synon të përhapë propagandë anti-perëndimore dhe të minojë proceset demokratike në rajon.
Britania kërkon përgjigje të bashkuar perëndimore
Në kapitullin e rekomandimeve, raporti i bën thirrje qeverisë britanike të forcojë praninë e saj politike dhe ushtarake në Ballkan, duke propozuar krijimin e një Forcë të Përbashkët Ekspeditare të Ballkanit (BJEF), me fokus në Bosnjë dhe Kosovë, për të kundërshtuar ndikimin rus dhe për të forcuar misionet ekzistuese të NATO-s dhe EUFOR-it.
Raporti gjithashtu rekomandon që Britania të nënshkruajë marrëveshje sigurie bilaterale me Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën, si sinjal i qartë për mbështetjen e anëtarësimit të tyre të ardhshëm në NATO.

Reagim ndaj rrezikut rus dhe mbështetje për Kosovën
Autorët paralajmërojnë se ndërhyrjet ruse dhe serbe në rajon janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni në Ukrainë dhe për të krijuar tensione të reja në Evropën Juglindore.
“Në Kosovë, Serbia dhe Rusia kanë punuar së bashku për të shkaktuar krizën më serioze të sigurisë në Evropë pas Ukrainës”, thuhet në raport.