Rashiq zgjidhet nënkryetar i Kuvendit, VV e LDK votojnë pro, PDK-AAK abstenojnë

Pas 27 tentimeve të dështuara për 9 kandidatët e Listës Serbe, Nenad Rashiq, në tentimin e parë u zgjodh nënkryetari i pestë i Kuvendit të Kosovës, me 71 vota pro, 9 kundër dhe 24 abstenime. Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe disa deputetë nga komunitet e votuan Rashiqin, deputetët e PDK-së dhe AAK-së abstenuan ndërsa kundër ishte Lista Serbe

Slavko Simiq, Zlatan Elek, Liljana Stefanoviq, Verica Qeraniq, Miljana Nikoliq, Branislav Nikoliq, Stefan Kovaqeviq, Srdjan Popoviq dhe i fundit vetë Igor Simiq.

Të gjithë 9 deputetë e Listës Serbe, nga tre herë secili, dështuan që t’i marrin votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit.

Asnjëherë nuk morën më shumë se 9 vota pro, aq sa ka Lista Serbe, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me disa deputetë të komuniteteve ishin kundër, ndërsa vazhdimisht abstenuan deputetët e LDK-së, PDK-së por edhe disa të AAK-së. NISMA mungoi në seancë.

Seanca e parë pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e solli suksesin e shumë pritur, zhbllokimin e Kuvendit.

Igor Simiq – Deputet i Listës Serbe, flet në gjuhën serbe…

Lista Serbe u ftua që t’i hap rrugë kandidimit të Nenad Rashiqit, por e refuzuan thirrjen e Kryeparlamentarit.

Kjo shkaktoi pakënaqësi dhe reagim tek deputetët e partisë më të madhe parlamentare.

Pasi u shterën të gjitha mundësitë për kandidatët, sytë u drejtuan kah i vetmi serb që nuk është pjesë e kësaj partie.

“Pasi që ne e ftojmë Nenad Rashiqin me short…”, ka thënë Dimal Basha – Kryetar i Kuvendit.

Meqenëse shorti nuk kishte kuptim sepse kishte mbetur vetëm një emër, u dha mundësia e votimit direkt.

“Ju ftojmë që…”, ka thënë Dimal Basha – Kryetar i Kuvendit.

Thirrja për ta ngritur dorën lartë ishte sinjali që ishte pritur mbi një muaj.

Të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ia dhanë dritën e gjelbër Nenad Rashiqit. Ndonëse pa një paralajmërim të mëhershëm, edhe Lidhja Demokratike e dha votën e përkrahjes.

Partia Demokratike abstenoi ashtu sikurse deputetët e AAK-së.

Me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, nënkryetari i Kuvendit u zgjodh Nenad Rashiq dhe u kompletua Kryesia dhe tani edhe Kuvendi llogaritet i konstituuar.

Tani është hapur rrugë për formimin e Qeverisë dhe mandatarin do ta caktoj në një takim Presidentja e vendit me partinë fituese.

Shija e redaktorit

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Të fundit nga rubrika