“Revolta shqiptare”, çka shkruante gazeta angleze “The Spectator” me 15 maj të 1880

“Tani qe ne e kemi deklaruar veten të pavarur nga Padishahu dhe prej Efendive në Stamboll, le t’ia tregojmë veten vendit siç jemi me të vërtetë. Bajraktar i fisit te Hotit, bëj detyrën tënde!”

“Revolta shqiptare” çka shkruante gazeta angleze “The Spectator” me 15 maj të 1880 (Ilustrim)

Revolta shqiptare – Gazeta angleze “ The Spectator”, 15 maj, 1880.

Incidenti shqiptar shfaq në mënyrën më të qartë problemin thelbësor të Çështjes Lindore, – mungesën e ndonjë autoriteti të besueshëm ose të fuqishëm në Kostandinopojë. Sipas Traktatit të Berlinit, Sulltani ra dakord t’i dorëzojë rrethe të caktuara Malit te Zi, rrethe të domosdoshme për Malësorët, që tani e tutje do të duhej te jetojnë nga bujqësia dhe të braktisin pozitën e tyre si fis që sfidon armiqtë në çdo krahë. Porta, sipas stilit të saj të zakonshëm, kundërshtoi dorëzimin e tokave, duke pohuar publikisht se, meqë ato banoheshin nga myslimanët, sulltani nuk mund të sakrifikonte veten; dhe privatisht, se Pallati nuk mund të rrezikonte besnikërinë e Gardës Shqiptare, e cila mbron Yildiz Kiosk. Prandaj u kërkuan toka të tjera, të banuara nga shqiptarët e krishterë, apo Mirdita, dhe më në fund këto u pajtua që sulltani ti dorëzonte dhe Mali i Zi t’i pranonte. Megjithatë, shqiptarët muhamedanë përsëri ishin të pakënaqur, pasi malazezët kishin korrur fitore; ata patën fituar ndaj Mirditës dhe ushtarëve te Sulltanit, pushtuan me forcë rrethet e dorëzuara dhe kur ne fakt arriti dekreti, fiset e bashkuara, në një skenë jashtëzakonisht dramatike, menjëherë i sfiduan malazezët dhe hodhën poshtë autoritetin e sulltanit. Tani thuhet se revolta është zmadhuar, se Mirditorët, të ndikuar si nga princi malazez dhe nga ipeshkvi Strossmayer që kanë autoritet ne fis, janë rrudhur – gjë që mund të jetë e vërtetë, – dhe se turqit nuk janë të bashkuar; por pikat kryesore të skenës së 19 prillit, e cila përshkruhen nga një dëshmitar okular, nuk mund të jenë shpikur:

– “Oborri i madh [në Eski Sara’ Scutari] rrethuar nga harqe te stilit të pallateve italiane, me një sipërfaqe mijëra metra katrore. Për njëzet të ftuar të posaçëm, ishin vene ulëse nën një ballkon të madh, të mbrojtur prej diellit nga një tende, mbi të cilën valëvitej flamuri qe shpaloste gjysmë hënën. Atje ishin ulur Arkipeshkvi katolik tetëdhjete vjeçar, Imzot Pooten dhe dy ndihmësit e tij, Don Capuccio dhe Don Shantoja, dhe Myftiu i Madh i Shkodrës, Has Effendi. Midis dy personaliteteve fetare ishte ulur një i ri i pashëm me kostum të qëndisur me ar, që shkëlqente nga stolitë. Ai ishte Princi i Mirditës, Bib Prenk Doda, i cili kishte mbërritur mbrëmë nga kulla e tij, në Orosh. Pamja e tubimit ishte gjëja më piktoreske. Përveç veshjeve evropiane shihje tyrbet e gjata dhe turbanët shumëngjyrëshe të Rojave, oficerë turq në uniformat e tyre piktoreske, priftërinjtë katolikë me mantele të gjata dhe kapele të gjera, burrat nga Prizreni në jelek të kuq me yrnekë ari, dhe fisi i Mirditës me gajdana të zeza, që ata i mbajnë sot në kujtim të heroit kombëtar, Kastrioti. Në oborr ishin gjithsej rreth 2,000 vetë. Në orën 11 të gjithë ishin mbledhur dhe dyert ruheshin nga shqiptarë shtatgjatë, me muskete të mbushura mirë. Ne heshtje varri, u ngrit për të folur Hodo Beu. Ky luftëtar i vjetër 74 vjeçar, me tipare të regjura nga dielli dhe shenjë plagësh, tha sa vijon”:

– “Vëllezër të Bashkimit Shqiptar! Ministrat e mbledhur në Berlin, me paditurinë e vërtetë apo të pretenduar për vendin tonë, racën më fisnike dhe më të pastër të botës, na kanë dhënë te një populli i pagdhendur malor që qëndron në klasën më të ulët të qytetërimit dhe jeton me lëmoshën e Evropës. Ne, pasardhësit e drejtpërdrejtë të Mbretit të Shqiptarëve, Iskander (Aleksandri i Madh), të braktisur nga e gjithë bota, rrethuar nga një tufe ujqërish lakmitar, do të dimë të mbrojmë veten dhe varret e paraardhësve tanë. Ne e kemi ndier dhimbjen më të thellë kur vëllezërit tanë në Podgoricë dhe Spucz iu dorëzuan armikut. Ne nuk do të ndërmarrim asnjë hap për të ndryshuar atë që tashmë është kryer; por ky është lëshimi i fundit që ne do të bëjmë. Nesër bashkatdhetarët tanë – Hoti, Kastrati dhe Kelmendi – duhet të dorëzohen pa kushte. A do ta lëni që të bëhet kjo? ‘ Mijëra ‘Jo’ dolën nga kuvendi, dhe folësi vazhdoi, – ‘Tani, unë, gjithashtu, nuk do ta kem atë. Unë, Hodo Beu, u kam shërbyer me besnikëri pesë Sulltanëve për 50 vjet; por tani nuk e njoh vullnetin e Padishahut të tanishëm, unë e denoncoj atë dhe nuk e njoh më as Padishahun, as Stambollin”.

Me këto fjalë, folësi i moshuar i shkuli gradat e arit nga uniforma e tij dhe i hodhi grumbull bashke me medaljet e tij. Njëqind e pesëdhjetë oficerë mysliman ndoqën shembullin e tij, i hoqën spaletat e tyre dhe medaljet dhe i shkelnin me këmbë.

Hode Beu vazhdoi “Tani qe ne e kemi deklaruar veten të pavarur nga Padishahu dhe prej Efendive në Stamboll, le t’ia tregojmë veten vendit siç jemi me të vërtetë. Bajraktar i fisit te Hotit, bëj detyrën tënde!”

Një tip i larte luftarak u shfaq në këtë moment, me jatagan në dorë me një goditje ndau në dysh shtizën që mbante flamurin e Gjysmëhënës. Ashtu si një zog grabitqar gjigant i plagosur për vdekje, flamuri i sulltanit ra ngadalë dhe rëndë për tokë. Dhe tani flamurmbajtësi shpalosi flamurin e ri të kombit, qe mbante luanin shqiptar të hapur në një fushë të kuqe.

Një “jemi gati” e furishme, shpërtheu nga kuvendi, dhe Hodo Beu tani, me fjalë të qarta, bëri një ekspozim të situatës dhe numëroi shanset që do të kishte tubimi i tij në konfliktin që vjen shpejt. “Ne kemi plot armë dhe mjaft duar për t’i përdorur ato. Ne kemi municion për vite; ne na duhen vetëm para, sepse shqiptarët janë trima, por të varfër”. Menjëherë u ngrit kryetari i Shoqatës së Tregtarëve dhe deklaroi se një këshill i bankierëve – Pema, Bianchi, Summa, Paruzza, Nicolodjaba dhe të tjerë – janë shprehur vetë të gatshëm të japin për dite 500 napoleonë ari shtabit për të plotësuar nevojat e luftëtareve.

Efekti i kësaj deklarate, nëse veprohet me gjithë zemër, është se Traktati i Berlinit rrezikohet në efikasitetin e tij në dy pikat më të rëndësishme. Cedimi ndaj Malit të Zi anulohet, përveç nëse Princi Nikolla mund të pushtojë rrethet e dorëzuara me tehun e shpatës, një operacion shumë serioz dhe i dyshimtë; dhe rrezikohet dukshëm dhënia e Epirit Greqisë. Nuk është Shqipëria më e madhe, e cila pothuajse mbulon Epirin, por Shqipëria Veriore, e cila është revoltuar; por ata qe kërkojnë shkëputjen janë të fuqishëm deri në Janinë dhe mund të protestojnë kundër Greqisë po aq ashpër sa kundër Malit të Zi. Kjo, me të vërtetë, është ndoshta llogaritja e Portës, e cila padyshim e nxiti lëvizjen dhe me urdhra të fshehtë dërgoi trupa në territorin e kontestuar; megjithëse është e mundur, ose me të vërtetë e mundshme, që myslimanët shqiptarë, asnjëherë shumë të bindur, kanë shkuar shumë më larg se kane pritur apo dashur politikanët e pavullnetshëm të Kostandinopojës. Sido që të jetë, mund të merret e sigurt se as Greqia, as Mali i Zi, po qe se përmbahen, nuk do të ndërmarrin pushtimin, shqiptarët janë në gjendje të nxjerrin 30,000 njerëz në fushë, por natyrisht të mos përballojnë një ushtri që i afrohet atij numër. Ata janë ndër njerëzit më të guximshëm në botë, kane një territor që është kështjellë natyrore dhe një nga pjesët më të bukura të Evropës dhe mund, nëse sulmohen nga forca të papërshtatshme, të bëjnë një mbrojtje të tmerrshme.

Prandaj, nëse Traktati duhet të zbatohet, mbetet të aplikojë mjete më të mëdha se në çdo vend, dhe nga do të merren? Ato në Kostandinopojë nuk ekzistojnë. Duke supozuar që Fuqitë janë sinqerisht në ujdi, çka, për sa i përket Austrisë, mund të jetë e dyshimtë dhe të jenë te gatshëm të ushtrojnë presion të papërballueshëm ndaj qeverisë turke, çfarë do të jetë rezultati? Sulltani do të deklaroje mungesën e te hollave, nevojën për njerëz dhe të frikën ndaj Gardës Shqiptare, dhe ose do të rrijë i pakënaqur joaktiv ose do të dërgojë trupa që do të jenë me gjysmë zemre ose haptazi në favor të çështjes shqiptare. Detyra e tyre u merr muaj me radhë, duke çuar malazezët në dëshpërim, ose ndoshta të dështojnë fare, pasi turqit kurrë nuk i kanë nënshtruar tërësisht fiset shqiptare që nga përmbysja e parë e tyre. Sulltani, në fakt, edhe sikur te ishte i gatshëm, nuk është mjaft i fortë për të zbatuar traktatet e tij; dhe ai nuk është i gatshëm, edhe pse nga presioni i madh mund te nënshtrohet. Megjithatë, Fuqitë nuk mund të lejojnë që Traktati i Berlinit të dështojë me zbatimin e tij të parë në rrethana të vështira dhe duhet ose të zbatoje dispozitat e Malit të Zi ose të dorëzohet që të shoh Princ Nikollen të shpallë luftë kundër Turqisë, siç e ka kërcënuar tashmë dhe kështu të rihapë tërë Çështjen Lindore. Ne mund të jemi të sigurt, qe ata nuk do të dorëzohen, por nga do të merret forca e nevojshme? Austria mund të pajtohet të jetë forca shtrënguese për Evropën në këtë çështje, por a do të tërhiqeshin trupat austriake, kur të kryhej puna, nga pozita më e mirë në Adriatik? Italia mund të dërgonte një forcë përballë Adriatikut, por a do të pajtohej Austria me shpërblimin e propozuar italian – zgjedhjen e një Princi italian për Shqipërinë – apo a do t’i bindeshin Arnautët e egër një Princi të tillë, pasi bashkatdhetarët e tij, ti nënshtronin? Një forcë e përbërë është e vështirë të formohet, e vështirë të menaxhohet dhe e ekspozuar ndaj rrezikut të grindjeve midis kombeve të ndryshme, prej të cilave ajo përbëhet; dhe forca neutrale, të themi zviceranët, qe aq shpesh është folur në diskutimet që i paraprinë luftës, është e paarritshëm. Thuhet, nga gazetarët në terren, se është e mundur, duke izoluar Shqipërinë – duke i ndaluar asaj, domethënë të gjitha komunikimet me epirotët, malazezët, bullgarët dhe turqit – ti biesh fiset në arsye; por ky do të ishte një proces i gjatë dhe do të kërkonte, çfarë nuk mund të merret, vullnetin e përzemërt të te gjitha shteteve, përfshirë Turqinë, për tu angazhuar në mbajtjen e kordonit sanitar.

Ajo që kërkohet vërtet është një sovran në Kostandinopojë i cili mund të besohet dhe urdhrat e të cilit si Komandant i Përgjithshëm do të lëviznin regjimentet që i përkasin të gjitha Shteteve të Ballkanit. Tridhjetë mijë sllave, boshnjakë, malazezë, bullgarë dhe grekë do ta kryenin detyrën me lehtësi dhe mund t’u besohej të tërhiqeshin sapo të merrnin urdhrin nga Kostandinopoja, e cila, sipas rrethanave të supozuara, nuk do të kishte interes të shtypte ndonjë shtet, apo të neglizhonte interesat ose paragjykimet e veçanta të ndonjë fisi. Është një fuqi e tillë si ajo që ushtron qeveria indiane mbi princat e saj vasalë, që është e nevojshme për të zgjidhur të gjitha këto çështje dhe e cila është e kotë t’i kërkohet Sulltanit, i cili, megjithatë, në teori dhe fakt, është arbitri. Ai duhet të kryejë rregullimet e rëndësisë së fundit për miliona njerëz, të cilët në Thesali, në Epir, në Maqedoni dhe në Armeni tani jetojnë nën një sundim terrori, që ruhet nga paramilitarë që nominalisht paguhen prej tij; dhe ai nuk është jo vetëm i gatshëm të zbatoj marrëveshjet e tij, por nuk është në gjendje të ekzekutojë ndonjë dispozitë që kërkon shfaqje force. Ai nuk do të bëjë asgjë kur t’i bindesh dhe nuk mund të bëjë asgjë kur sfidohet. Në Maqedoni, atij i kërkohet të sanksionojë formimin e një qeverie të veçantë, e cila fillimisht nuk do të ketë trupa në dispozicion të saj; dhe në Armeni, të shtype kurdët dhe çerkezët, të cilët torturojnë të krishterët po aq për kundërshtim ndaj tij sa dhe për rregullat ordinere të marrëdhënieve të zakonshme njerëzore. Kur të fillojë rezistenca, ai nuk ka asnjë mjet, për të përdorur forcën e nevojshme; por siç janë rregulluar gjerat aktualisht, asnjë zëvendësim funksionues i tij nuk mund të jetë aq sa sugjerohet. Fuqitë janë në pozitën e burrave të detyruar të veprojnë përmes një perdeje që njëkohësisht errëson vizionin dhe e ngadalëson ndikimin e goditjeve të tyre. Para se të mund të bëjnë ndonjë gjë të efektshme, ata duhet të heqin perden dhe suksesi do të kërkojë në disponimin e tyre të gjitha aftësitë diplomatike. Ata duhet të vendosin në Kostandinopojë një pushtet, qoftë i hapur ose i mbuluar, i cili të do dhe mund ta zbatojë Traktatin si me ndershmëri ashtu edhe me shpejtësi; dhe krijimi i një pushteti të tillë, me Sulltanin ende në Kostandinopojë, duket, për sytë e njeriut, mjaft i pashpresë. Mund të gjendet një vezir i madh që do ta bënte atë dhe të mos vritej; por ku mund të gjendet një njeri të tillë, në një kryeqytet ku tani askush nuk paguhet, dhe ku monarku vështirësitë më të madhe i ka në nxitjen e kasapëve për të plotësuar nevojat e pallatit me dele?

Revolta shqiptare – Gazeta angleze “ The Spectator”, 15 maj, 1880.

Pak kontekst historik: Gjatë kohës kur flitet për Shqipërinë në tekst, Shqipëria u gjend në kontrollin e zbehtë të Perandorisë Osmane, duke pësuar rënie të brendshme, ndërkohë që u shfaq një ndjenjë e sapolindur e nacionalizmit shqiptar, e nxitur nga lidhjet kulturore, gjuhësore dhe historike midis popullit shqiptar. Rajoni i Ballkanit tërhoqi vëmendjen e fuqive të mëdha evropiane si Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia, secila me interesat e tyre strategjike, duke ndikuar në peizazhin gjeopolitik. Ndërsa kryengritjet lokale shpërthyen në mënyrë sporadike, ndarjet e brendshme brenda lëvizjes nacionaliste shqiptare dhe sfidat ekonomike i ndërlikuan më tej gjërat, duke kontribuar në evolucionin gradual të Shqipërisë drejt autonomisë më të madhe dhe pavarësisë eventuale deri në fillim të shekullit të 20-të.

Të fundit nga rubrika